U mbytën në kanal pas aksidentit: Dy gratë që humbën jetën në Lushnjë janë motra  

U mbytën në kanal pas aksidentit: Dy…

Aksidenti i rëndë i ndodhur pasditen e sotme në afërsi të fshatit Çukas të Lushnjës ka marrë trajtën e një tragjedie të vërtetë familjare. Dy gratë që humbën jetën në mënyrë fatale pasi automjeti doli nga rruga dhe ra në një kanal me ujë, ishin motra me njëra-tjetrën.

Sipas të dhënave zyrtare nga Policia e Shtetit, viktimat janë identifikuar si Florije Xhepa, 53 vjeçe, dhe motra e saj, Mirela Hasko, 50 vjeçe.

Dinamika e ngjarjes tregon se automjeti drejtohej nga 53-vjeçarja Florije Xhepa, ndërsa e motra, Mirela, ndodhej si pasagjere në mjet. Për shkaqe ende të paqarta, drejtuesja ka humbur kontrollin mbi timonin, duke bërë që makina të përmbyset dhe të përfundojë në kanalin e mbushur me ujë.

Të dyja motrat kanë mbetur të bllokuara brenda kabinës së zhytur në ujë dhe nuk kanë mundur të dalin të gjalla që andej, duke pësuar një vdekje të dhimbshme nga mbytja.

Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe shërbimet e policisë, të cilët po punojnë për të zbardhur të gjitha shkaqet dhe rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje të rëndë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit