Bashkia Tiranë vazhdon abuzimet: 500 MLN firmës që ofroi më shumë

Bashkia Tiranë vazhdon abuzimet: 500 MLN firmës…

Një procedurë prokurimi publik e zhvilluar nga Bashkia e Tiranës  nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve dhe Ndriçimit Publik, ngre hije të forta dyshimi për shkelje të barazisë në tenderë dhe abuzim me fondet publike.

Sipas dokumenteve zyrtare të procedurës me referencë Ref-73740-01-09-2026, me objekt “Blerje lëndë djegëse për përdorim teknik, civil dhe industrial”, tenderi me fond limit prej 54,999,962 lekë të reja pa TVSH, i është dhënë operatorit që ka paraqitur ofertën më të lartë financiare.

Në dokumentin e njohjes së operatorëve pjesëmarrës dhe kriterit të përzgjedhjes, ku cakohet specifikisht kriteri “oferta ekonomikisht më e favorshme bazuar në çmim”, rezultojnë dy operatorë ekonomikë:

  1. “TRIOS” sh.a. (NUIS L12805203J) – ka ofertuar vlerën prej 37,379,504.82 lekë pa TVSH me një marzh fitimi prej 11.31 lekë/litër.
  2. “RESULI-ER” sh.a. (NUIS L12510413V) – ka ofertuar vlerën prej 41,022,301.34 lekë pa TVSH me një marzh fitimi prej 19.45 lekë/litër.

Pavarësisht se kompania “TRIOS” sh.a. ka ofruar një çmim rreth 3.64 milionë lekë pa TVSH më të ulët, si dhe një marzh fitimi pothuajse përgjysmë më të ulët për litër, Bashkia e Tiranës ka shpallur fitues kompaninë “RESULI-ER” sh.a..

Kujt i përket kompania fituese?

Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB), shoqëria “RESULI-ER” sh.a. me adresë në Mbrostar të Fierit, ka si administrator shtetasin Eduart Resuli.

Kapitali dhe aksionet e shoqërisë zotërohen nga:

  • Eduart Resuli – 51% të kuotave
  • Roland Resuli – 49% të kuotave

Pyetjet që kërkojnë përgjigje

Zgjedhja e ofertës më të shtrenjtë në një tender ku kriter kryesor vendoset çmimi më i favorshëm ngre pyetje serioze për autoritetet kontraktore:

  • Përse është skualifikuar apo anashkaluar oferta e më e ulët, e cila do t’i kursente buxhetit të shtetit miliona lekë?
  • A ka pasur kritere skualifikuese “të qepura” me masë apo favorizim të drejtpërdrejtë ndaj operatorit ekonomik “RESULI-ER” sh.a.?
  • Si arsyetohet pranimi i një marzhi fitimi prej 19.45 lekë/litër përkundrejt marzhit 11.31 lekë/litër të konkurrentit?

Organet e kontrollit dhe prokuroritë përkatëse duhet të verifikojnë procedurën e ndjekur nga Sektori i Prokurimeve në Bashkinë e Tiranës për të sqaruar nëse kjo procedurë përbën dëm ekonomike për buxhetin publik.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit