Në fillim të korrikut, çmimi mesatar i apartamenteve me qira në Tiranë arriti në 721 euro në muaj, duke e bërë strehimin gjithnjë e më të vështirë për familjet e shtresës së mesme. Sipas të dhënave të transaksioneve të qirave të agjencisë CPM, një individ duhet të shpenzojë rreth 77% të pagës mesatare mujore bruto ose 97% të të ardhurave neto vetëm për qiranë.
Përballë kostove të larta të ushqimeve, transportit, energjisë dhe shpenzimeve të tjera, shumë familje të reja po zgjedhin të largohen nga Tirana dhe të vendosen në qytete më të përballueshme. Ekspertja e tregut të pasurive të paluajtshme, Stela Dhami nga Colliers International Albania, thotë se Elbasani dhe Durrësi janë ndër alternativat kryesore për familjet që vazhdojnë të punojnë në kryeqytet.
Sipas Dhamit, qiratë në Elbasan janë rreth 30–40% më të ulëta se në Tiranë, ndërsa Durrësi ka çmime më të larta për shkak të turizmit dhe kërkesës së madhe. Ajo vlerëson se kostoja e banimit po ndryshon hartën e zgjedhjeve të strehimit, ndërsa transporti dhe trafiku mbeten sfida për ata që udhëtojnë çdo ditë drejt Tiranës. Megjithatë, për shumë familje, kursimi nga qiraja më e ulët po e bën këtë kompromis gjithnjë e më të pranueshëm.