Një zjarr i fuqishëm pyjor ka përfshirë zonën e Omišit në Kroaci, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe detyruar rreth 1 mijë banorë e turistë të largohen me urgjencë nga zonat e rrezikuara.
Flakët nisën gjatë mbrëmjes në zonën e Lokva Rogoznicës dhe, të favorizuara nga erërat e forta që ndryshonin vazhdimisht drejtim, u përhapën me shpejtësi drejt Omišit. Rreth orës 01:45, zjarri mbërriti në lagjen Borak, mbi qendrën e qytetit, duke iu afruar rrezikshëm zonave të banuara.
Disa banesa janë djegur, ndërsa flakët kanë përfshirë edhe automjete, varka dhe objekte të tjera. Në disa pjesë të qytetit u ndërpre energjia elektrike, ndërsa qarkullimi në rrugën bregdetare të Adriatikut u bllokua për shkak të rrezikut.
Situata u bë veçanërisht dramatike gjatë natës, kur banorët dhe turistët u evakuuan si nëpërmjet rrugëve, ashtu edhe me anije. Disa persona u detyruan të largoheshin nga banesat në mes të natës, ndërsa të tjerë u transportuan me mjete lundruese nga zonat e kërcënuara.
Zjarri ka përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme, rreth 900 deri në 1,000 hektarë. Përmasat e plota të dëmeve pritet të përcaktohen pas përfundimit të vlerësimit në terren.
Situata ka lënë pas edhe të plagosur. Të paktën 36 persona janë trajtuar për dëmtime të lidhura me zjarrin, 14 prej tyre janë shtruar në spital, ndërsa 10 ndodhen në terapi intensive. Disa prej të plagosurve kanë pësuar djegie të rënda dhe gjendja e tyre është serioze. Dy zjarrfikës janë plagosur gjithashtu gjatë përpjekjeve për shuarjen e flakëve.