“S’mund të vdes kështu”, motoristi i shpëton jetën vetes nga përplasja me kamionin

“S’mund të vdes kështu”, motoristi i shpëton…

Një parakalim i rrezikshëm për pak sa nuk përfundoi në tragjedi pranë liqenit Plastira në Greqi. Një kamion cisternë kaloi në korsinë e kundërt në një kthesë të mbyllur, duke iu afruar përballë një motociklisti 25-vjeçar.

Nikos, i cili ndodhej në motor, arriti ta shmangte përplasjen në momentin e fundit. Duke folur për mediat greke, ai rrëfeu momentet e frikshme dhe reagimin instinktiv që i shpëtoi jetën.

Është gjynah të vdes në moshën 25-vjeçare. Nuk ka mundësi të vdes kështu”, tha 25-vjeçari, duke treguar se kjo ishte mendimi i vetëm që arriti t’i kalonte në mendje kur pa cisternën që po vinte drejt tij.

U përpoqa të qëndroja sa më i qetë. Nuk e kuptova mirë çfarë po ndodhte. E shmanga cisternën instinktivisht”, tregoi ai.

Sipas Nikosit, vetëm pasi pa videon e incidentit e kuptoi se sa pranë një aksidenti fatal kishte qenë. 25-vjeçari theksoi se nëse do të ishte duke udhëtuar me makinë, përplasja do të ishte e pashmangshme.

Nëse do të isha me makinë, do të ishte 100% përplasje ballore. Nuk kishte hapësirë që të kaloja, siç bëra me motorin”, deklaroi ai.

Pas publikimit të videos në rrjetet sociale, ku shihet cisterna duke kryer parakalim të rrezikshëm dhe duke kaluar në korsinë e kundërt, autoritetet greke nisën hetimet.

Fillimisht nuk dihej vendi ku kishte ndodhur incidenti, por hetimet zbuluan se ngjarja ishte regjistruar në zonën e liqenit Plastira.

Policia arriti të identifikonte shoferin përmes kompanisë së transportit ku ai punon. Ai u lokalizua në Selanik dhe u shoqërua në Drejtorinë e Trafikut të Selanikut.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit