Një person është gjobitur me 50 mijë korona norvegjeze (rreth 5 300 dollarë) pasi përdori borinë e fuqishme të një anijeje për të zgjuar qëllimisht një ari polar nga gjumi. Ngjarja ndodhi në fillim të gushtit në ishujt Svalbard të Norvegjisë, gjatë një lundrimi në një fjord të Arktikut.
Sipas guvernatorit të rajonit, Lars Fause, personat në bord pikasën ariun duke fjetur në breg dhe një prej tyre i ra borisë me frekuencë të ulët. Zhurma e fortë e zgjoi kafshën, e cila u detyrua të largohej. Autoritetet e cilësuan veprimin si një shqetësim të panevojshëm dhe të qëllimshëm, ndërsa personi përgjegjës pranoi të paguajë gjobën.
Legjislacioni mjedisor në Svalbard ndalon rreptësisht shqetësimin e arinjve polarë dhe përcakton se njerëzit nuk duhet t’i afrohen atyre më shumë se 300 metra nga korriku në shkurt, dhe deri në 500 metra gjatë sezonit të çiftëzimit (mars-qershor). Kjo specie gëzon mbrojtje të plotë që nga viti 1973, ndërsa në rajonin e Svalbardit dhe Detit Barenc jetojnë rreth 3 mijë arinj polarë.