Sot besimtarët e krishterë kremtojnë Fjetjen e Hyjlindëses së Tërëshenjtë Mari, një nga festat më të rëndësishme të kalendarit ortodoks, e njohur ndryshe si “Pashka e verës” ose “Pashka e vogël”. Kjo ditë përkujton fjetjen, ngjalljen dhe lavdërimin e Virgjëreshës Mari, ndërsa në të gjithë vendin besimtarët janë mbledhur në kisha dhe manastire për lutje dhe pelegrinazh.
Në këtë ditë të veçantë, Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Joan, mori pjesë në meshën e mbajtur në Kishën e Ungjillëzimit të Hyjlindëses në fshatin malor Agriadi, në ishullin e Imbros, ku ishte i pranishëm edhe Patriarku Ekumenik Bartholomeu. Ndërkohë, në Shqipëri, Manastiri i Zvërnecit dhe vende të tjera të shenjta u mbushën me besimtarë që ndezën qirinj dhe u lutën për paqe, shëndet dhe mbarësi.
Urime për këtë festë të shenjtë përcollën edhe krerët e shtetit përmes rrjeteve sociale, ndërsa traditat e festës vijojnë të ruhen në familjet shqiptare. Një prej tyre është marrja në shtëpi e degëve të dafinës, si simbol bekimi dhe mbarësie. Në Apoloni, Imzot Nikolla u përcolli besimtarëve mesazhin e shpresës, duke theksuar se në vështirësitë dhe sfidat e jetës “nuk jemi vetëm”.