Një zjarr i fuqishëm përfshiu të premten në mëngjes një pallat 21-katësh në lagjen Friedrichshain të Berlinit, duke detyruar banorët të evakuoheshin dhe një grua të hidhej nga kati i 11-të drejt një koshi të vogël metalik të shkallës ajrore të zjarrfikëses.
Zjarri shpërtheu rreth orës 06:30 në një apartament në katin e 11-të dhe më pas u përhap në banesën e katit sipër. Sipas raportimeve të mediave lokale flakët u vunë nën kontroll brenda më pak se tre orësh.
Situata u bë veçanërisht e rrezikshme për banorët e kateve të sipërme. Shkalla ajrore e zjarrfikësve arrinte vetëm deri në katin e nëntë, duke e lënë një prej banoreve në një situatë tepër të rrezikshme. Ajo u detyrua të dilte nga dritarja dhe të hidhej drejt koshit të zjarrfikëses, në një moment ku një lëvizje e gabuar mund të kishte pasoja fatale.
Një zëdhënës i shërbimit zjarrfikës e përshkroi operacionin e shpëtimit si “dramatik”.
Raportimet fillestare flasin për të paktën pesë persona të lënduar, ndërsa burime të tjera lokale kanë raportuar deri në 13 persona me dëmtime të lehta. Shkalla e plotë e lëndimeve nuk ishte përcaktuar menjëherë.
Zjarrfikësit arritën ta vënë situatën nën kontroll, ndërsa shkaku i zjarrit mbetet ende i paqartë.