Spitalet amerikane kanë faturuar dhjetëra milionë dollarë për ndërhyrje të ndryshimit të seksit tek të miturit, sipas Departamentit Amerikan të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore (HHS).
Raporti “Wolves in White Coats”, i publikuar këtë javë citon kërkime nga organizata mbikëqyrëse, thotë se spitalet dhe klinikat kanë faturuar afërsisht 120 milionë dollarë për më shumë se 5.500 ndërhyrje kirurgjikale dhe 8.500 trajtime me hormone ose bllokues të pubertetit për të mitur që prej vitit 2019.
Sipas HHS-së, disa ofrues të shërbimeve shëndetësore mund të kenë përdorur kode faturimi çorientuese ose potencialisht mashtruese, në mënyrë që kompanitë e sigurimeve të mbulonin këto ndërhyrje. Departamenti ka identifikuar afërisht 50 milionë dollarë kërkesa për rimbursim për bllokues të pubertetit të dhënë fëmijëve të moshës 9 deri në 17 vjeç, të regjistruara nën një kod të përgjithshëm për çrregullime hormonale, pa një diagnozë që lidhej me gjininë ose pubertetin e hershëm në të njëjtën kërkesë.
Spitalet dhe klinikat e identifikuara në raport i janë referuar Departamentit të Drejtësisë dhe hetuesve të Departamentit të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore për shkelje të mundshme të ligjit federal. Sipas HHS-së, modelet e konstatuara të faturimit kërkojnë hetime të mëtejshme.
Rreth 11 milionë dollarë të tjera janë faturuar për bllokues të pubertetit për qindra pacientë të moshës 13 deri në 17 vjeç, nën një diagnozë për pubertet jashtëzakonisht të hershëm. HHS deklaroi se kjo diagnozë nuk është e zbatueshme për këto grupmosha.
Raporti thotë se këto procedura u ofronin spitaleve një burim afatgjatë të ardhurash, pasi të miturit që fillojnë trajtimet hormonale mund të vazhdojnë të marrin kujdes mjekësor për vite me radhë. Duke cituar vlerësime të jashtme, raporti e përllogarit koston gjatë gjithë jetës deri në 75 mijë dollarë pa ndërhyrje kirurgjikale dhe deri në 170 mijë dollarë kur përfshihen operacionet.
“Administrata Biden kontribuoi në zgjerimin dhe normalizimin e ndërhyrjeve që refuzojnë seksin biologjik përmes politikave kundër diskriminimit dhe programeve të tjera federale.” – thuhet në raport.
Këtë javë, Presidenti Donald Trump ndërmori hapa për t’i dhënë fund financimit federal përmes Medicaid dhe Programit të Sigurimit Shëndetësor për Fëmijët (CHIP) për procedurat e ndryshimit të seksit te të miturit. Kufizimet, të cilat pritet të hyjnë në fuqi më 13 tetor, përfshijnë bllokuesit e pubertetit, hormonet e seksit të kundërt dhe ndërhyrjet kirurgjikale, megjithëse shtetet mund të vazhdojnë t’i financojnë ato me fondet e tyre.
Ky vendim është pjesë e një tërheqjeje më të gjerë nga politikat që lidhen me personat transgjinorë që prej rikthimit të Trump në detyrë. Administrata e tij ka ndërmarrë hapa për të kufizuar proçedurat mjekësore të tranzicionit gjinor për të miturit, për të ndaluar atletët transgjinorë të garojnë në sportet e femrave dhe për të kufizuar shërbimin në ushtrinë amerikane të personave me disfori gjinore.
Të paktën 27 shtete amerikane kanë miratuar kufizime ndaj proçedurave të tranzicionit gjinor për të miturit, ndërsa disa spitale të mëdha kanë ndaluar ofrimin e disa prej këtyre shërbimeve për shkak të sfidave ligjore, presionit mbi financimin dhe ndryshimeve në udhëzimet mjekësore.