Situata është tensionuar gjatë natës në kufirin mes Marokut dhe Ceutës, enklavës spanjolle në Afrikën e Veriut, ku qindra migrantë kanë tentuar t’i afrohen kufirit dhe të kalojnë ilegalisht në territorin spanjoll.
Sipas raportimeve të mediave spanjolle, autoritetet marokene kanë ndërhyrë për të ndaluar grupet që po lëviznin drejt zonës kufitare. Operacioni i sigurisë është zhvilluar me forca të shumta policore, ndërsa janë përdorur edhe mjete ajrore për monitorimin e lëvizjeve pranë kufirit.
Raportimet flasin për rreth 300 persona të bllokuar nga autoritetet marokene gjatë përpjekjeve për t’iu afruar Ceutës. Një pjesë e tyre janë larguar nga zona me autobusë, ndërsa disa persona janë arrestuar nën dyshimin se kanë organizuar ose nxitur përpjekjet për kalim të paligjshëm.
Përpjekja e fundit ka rikthyer vëmendjen te situata e brishtë në kufirin e Ceutës, një nga pikat më të ndjeshme të emigracionit drejt territorit të Bashkimit Europian.
Autoritetet spanjolle dhe marokene kanë shtuar kontrollet përgjatë kufirit, ndërsa forcat e sigurisë vijojnë të monitorojnë situatën për të parandaluar grumbullime të tjera dhe tentativa për kalim.
Ceuta, së bashku me Melillën, përbën një nga dy territoret spanjolle në Afrikën e Veriut dhe prej vitesh është një nga pikat kryesore ku migrantët tentojnë të hyjnë në territorin e BE-së nga Afrika.