Hakmarrja për një konflikt të ndodhur rreth 15 vite më parë është pista kryesore që po hetohet për atentatin e dështuar ndaj 50-vjeçarit Ermir Kërtezi në Elbasan. I arrestuari Poli Boriçi, 52 vjeç, ka pretenduar para hetuesve se sulmi lidhet me plagosjen e vëllait të tij, një ngjarje e ndodhur shumë vite më parë.
“E bëra për t’u hakmarrë për vëllain tim, të cilin e ka plagosur 15 vite më parë”, mësohet të ketë deklaruar Boriçi gjatë marrjes në pyetje.
Sipas dëshmisë së tij, plagosja e kishte lënë vëllain me pasoja të rënda shëndetësore, deri në paralizim. Hetuesit po verifikojnë tashmë rrethanat e kësaj ngjarjeje dhe nëse ajo mund të ketë shërbyer si motiv për sulmin e ndodhur të shtunën.
Por përballë këtij versioni qëndron dëshmia e vetë Kërtezit. 50-vjeçari ka deklaruar se konflikti i vjetër ishte mbyllur prej kohësh dhe se marrëdhëniet mes dy familjeve ishin normalizuar. Sipas tij, familjet jetonin pranë njëra-tjetrës dhe gjatë viteve të fundit nuk kishin pasur probleme.
Pikërisht kjo mospërputhje ka bërë që hetuesit të mos përjashtojnë asnjë pistë. Krahas konfliktit të 15 viteve më parë, po verifikohet edhe mundësia që mes dy personave të ketë pasur një përplasje tjetër më të afërt në kohë.
Atentati ndodhi rreth orës 12:40, në një lokal në hyrje të Elbasanit, në prani të klientëve të tjerë. Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë Kërtezin duke dalë nga ambientet e brendshme të lokalit dhe duke u ndalur për disa çaste në pjesën e jashtme.
Në atë moment, Boriçi, i cili ndodhej në lokal së bashku me bashkëshorten, është afruar drejt tij. Sipas pamjeve, 52-vjeçari ka nxjerrë një pistoletë dhe ia ka drejtuar Kërtezit në kokë.
Në momentin vendimtar, arma nuk ka shkrepur. Kërtezi ka reaguar menjëherë, duke e shtyrë autorin dhe duke u larguar me vrap. Boriçi e ka ndjekur për disa metra, por më pas është larguar nga vendngjarja.
Arratia e tij nuk ka zgjatur shumë. Policia ka mundur ta lokalizojë dhe ta arrestojë, ndërsa arma e zjarrit që dyshohet se u përdor në sulm është sekuestruar si provë materiale.