Është ekstraduar nga Britania e Madhe drejt Shqipërisë 31-vjeçari Xhuljano Hoxha, i akuzuar nga autoritetet shqiptare si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal me veprimtari në fushën e narkotikëve. Hoxha, lindur në Berat, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe u arrestua në Britani në tetor të vitit të kaluar, pas një hetimi të lidhur me një rast të goditur më 10 nëntor 2022 në fshatin Drenovicë të Beratit.
Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, Hoxha dyshohet se, në bashkëpunim me persona të tjerë, ishte i përfshirë në kultivimin e bimëve narkotike. GJKKO, në prill të vitit 2024, i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprat penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal”.
Ekstradimi u realizua nga Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Mançester, pas arrestimit të 31-vjeçarit në Mbretërinë e Bashkuar. Hoxha tashmë është dorëzuar te autoritetet shqiptare, ndërsa procedurat ligjore ndaj tij do të vijojnë në Shqipëri në lidhje me akuzat e ngritura nga Prokuroria e Posaçme për aktivitetin e dyshuar kriminal.