Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.7 goditi brigjet e Indonezisë pak para orës 06:00 të mëngjesit të së shtunës, sipas orës lokale, duke dëmtuar ndërtesa dhe duke shkaktuar një cunami. Sipas raportimeve paraprake, të paktën pesë persona humbën jetën.
Epiqendra e tërmetit ishte në fundin e detit, rreth 30 kilometra në verilindje të Mbay, në lindje të Indonezisë, bëri të ditur Agjencia e Meteorologjisë, Klimatologjisë dhe Gjeofizikës e vendit (BMKG).
Sipas agjencisë, në disa zona u regjistruan valë cunami me lartësi deri në 0.94 metra.
Pas tërmetit të parë u regjistruan edhe tre pasgoditje me magnitudë 5.6, 6.1 dhe 5, sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA (USGS).
Të paktën pesë persona kanë humbur jetën, deklaroi Melki Laka Lena, guvernatori i provincës juglindore të Nusa Tenggara-s Lindore, në një deklaratë të cituar nga mediat.
Video që po qarkullojnë në rrjetet sociale dhe që pretendohet se janë xhiruar gjatë tërmetit, tregojnë fasada ndërtesash që shemben, ndërsa njerëzit e tmerruar largohen me vrap.
Pamje të tjera tregojnë ndërtesa që janë shembur tërësisht.
Indonezia, një arkipelag i gjerë me mijëra ishuj, ndodhet në pikën e takimit të disa pllakave të mëdha tektonike dhe shtrihet përgjatë të ashtuquajturës “Unaza e Zjarrit” e Paqësorit, një nga zonat me aktivitetin sizmik më të lartë në botë.
Vendi është përballur me tërmete shkatërruese gjatë dekadave të fundit, përfshirë tërmetin me magnitudë 9.1 të vitit 2004, i cili shkaktoi vdekjen e më shumë se 220 mijë personave në rajon.