Një situatë shqetësuese raportohet këtë mesditë në zonën Livadh-Hamëz, në Bjeshkën e Gojanit, Pukë, ku disa vatra zjarri kanë përfshirë sipërfaqe me bimësi.
Një qytetar i është drejtuar redaksisë duke kërkuar publikimin e situatës, ndërsa shprehet i shqetësuar për përhapjen e flakëve në zonën malore.
“Ju lutem publikojeni. Administrata dhe Bashkia e Pukës po lahen te Liqeni i Pukës, ndërsa bjeshka po shuhet nga vatrat e zjarrit”, shkruan qytetari.
Pamjet e dërguara në redaksi tregojnë tymin dhe vatrat e zjarrit në zonën e Bjeshkës së Gojanit.
Mbetet për t’u parë nëse në terren janë angazhuar forcat zjarrfikëse dhe strukturat e emergjencave për të vënë nën kontroll flakët dhe për të parandaluar përhapjen e tyre në një sipërfaqe më të madhe.
Ndërkohë, situata kërkon ndërhyrje të shpejtë, pasi zjarret në zonat malore mund të përhapen me shpejtësi, veçanërisht në kushtet e temperaturave të larta dhe erës.