Një procedurë e re prokurimi publik e realizuar nga Spitali Rajonal i Durrësit ngre dyshime të forta për favorizim dhe mungesë transparence në përdorimin e parave të taksapaguesve shqiptarë.

Spitali ka nënshkruar një kontratë me vlerë mbi 14 milionë lekë të reja ose rreth 140 milionë lekë të vjetra, për shërbimin e lavanderisë, e cila do të zgjasë për vetëm 90 ditë. Ajo që e bën këtë tender veçanërisht të dyshimtë është përdorimi i procedurës me negocim pa shpallje paraprake, një formë që shmang plotësisht garën e lirë dhe hapësirën për oferta të tjera konkurruese në treg.
Në vend që të zhvillonte një tender të hapur publik ku kompanitë e kësaj fushe të garonin me çmime e cilësi, Drejtoria e Spitalit të Durrësit ka zgjedhur të ulet në tavolinë direkt me vetëm një operator ekonomik.

Fituese e kësaj kontrate është shpallur kompania “UNIVERS SERVIS” (e njohur më parë si “LAVANDERI UNIVERS”), e cila zotërohet 100% nga biznesmeni Plarent Gjinari. Kompania e Gjinarit ka paraqitur një ofertë prej 14,340,316 lekësh, shifër kjo që është pothuajse identike me fondin limit prej 14,492,873 lekësh të përcaktuar nga vetë spitali.

Diferenca qesharake prej vetëm 150 mijë lekësh mes fondit limit dhe ofertës fituese flet qartë për një përputhje matematikore që vjen si pasojë e mungesës së garës. Kur nuk ka operatorë të tjerë në garë për të ulur çmimin, kompania përfituese fiton me shifrën maksimale të mundshme.

Për më tepër, barra financiare është e jashtëzakonshme nëse llogaritet se kjo shumë prej 140 milionë lekësh do të shpenzohet brenda një afati tepër të shkurtër kohor prej vetëm tre muajsh, duke ngritur pyetje mbi arsyet pse spitali nuk ka hapur një procedurë të rregullt afatgjatë me garë publike.

Sipas kuadrit ligjor, procedurat me negocim pa shpallje duhet të zbatohen vetëm në raste emergjencash të paparashikuara ose për shkaqe ekstreme teknike. Sidoqoftë, përdorimi i tyre në shërbime rutinë si lavanderia spitalore vazhdon të mbetet një nga rrugët kryesore ku anashkalohet transparenca dhe krijohen hije të forta korrupsioni, duke ngritur nevojën për hetime nga organet audituese dhe drejtësia.