Paratë e grupeve kriminale dyshohet se kanë qarkulluar përmes sistemit bankar shqiptar, ndërsa bilanci i fundit i SPAK tregon se vetëm në katër procedime penale janë sekuestruar 620 llogari bankare. Sipas të dhënave, llogaritë dyshohet se janë përdorur për transaksione, pastrim parash dhe fshehje pasurie, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur lëvizjet financiare.
Në total, asetet e sekuestruara në kuadër të këtyre hetimeve kapin vlerën e mbi 440 milionë eurove. Mes pasurive të bllokuara janë edhe më shumë se 60 vila dhe prona me vlerë, kryesisht në zonat bregdetare, si dhe në qytetet e Tiranës, Vlorës dhe Durrësit. Vetëm gjatë periudhës janar–korrik 2026, sipas këtyre të dhënave, janë sekuestruar mesatarisht rreth 10 vila në muaj dhe afro 100 llogari bankare në muaj.
Në vijim të hetimeve po verifikohen edhe veprimet e administratës bankare, si dhe transaksionet dhe lëvizjet financiare në llogaritë tashmë të bllokuara. Autoritetet po analizojnë të dhënat për të përcaktuar origjinën e fondeve dhe lidhjet e mundshme me grupet e narkotrafikut dhe krimit të organizuar.