20-vjeçari portugez u vra brenda lokalit të trafikantit, më pas u nxorr jashtë dhe u la 3 orë i pajetë në tokë

20-vjeçari portugez u vra brenda lokalit të…

Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e sotëm Ksamilin, ku një turist portugez rreth 20 vjeç ka humbur jetën pas një konflikti të ndodhur në ambientet e resortit “Principotes”.

Viktima është identifikuar si Luis Miguel Varela Mendes, i cili kishte mbërritur në Ksamil së bashku me një grup turistësh nga Portugalia.

Sipas të dhënave të reja të hetimit, ngjarja dyshohet se ka ndodhur rreth orës 02:30, brenda lokalit “La Guerra”, pjesë e resortit “Principotes”. Pas konfliktit, 20-vjeçari është nxjerrë jashtë ambienteve të beach bar-it dhe është lënë i pajetë në zonën e plazhit.

Një prej detajeve më tronditëse është se trupi i turistit dyshohet se ka qëndruar në plazh për rreth tre orë, deri në momentin kur është zbuluar dhe në vendngjarje kanë mbërritur efektivët e policisë.

Nga të dhënat paraprake mësohet se Luis Miguel Varela Mendes kishte marrë disa goditje me mjet prerës në shpinë dhe në kraharor, plagë që i kanë shkaktuar vdekjen. Ndërsa fillimisht dyshohej se konflikti kishte ndodhur pranë portës së lokalit, hetimet e deritanishme e vendosin përplasjen brenda ambienteve të “Principotes”.

Për zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes, policia e Sarandës ka shoqëruar 42 persona, të cilët po merren në pyetje. Hetuesit po përpiqen të përcaktojnë se çfarë ka ndodhur në minutat para dhe pas konfliktit, si dhe përgjegjësinë e personave që ndodheshin në lokal në momentin e ngjarjes.

Hetimet vijojnë për të dokumentuar të gjitha rrethanat e vrasjes dhe për të identifikuar autorin apo personat e përfshirë në konflikt.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit