Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në burgun e Lleida Ponent në Katalonjë të Spanjës, ku sipas burimeve nga brenda burgut për JOQ Albania një djalë i ri shqiptar nga veriu i Shqipërisë, me inicialet J.B., ka humbur jetën. Paraprakisht dyshohet se i riu i ka dhënë fund jetës brenda qelisë. Në këto momente të vështira, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe të afërmve të tij.
Kjo tragjedi ka bërë që të shpërthejë revolta dhe shqetësimi te shqiptarët e tjerë që vuajnë dënimin në këtë institucion. Përmes një mesazhi të mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, bashkëvuajtësit e J.B. ngrenë zërin për kushtet dhe braktisjen totale nga institucionet shqiptare.
Sipas të dhënave nga brenda burgut, aktualisht në Lleida Ponent ndodhen rreth 50 shtetas shqiptarë, të cilët përballen çdo ditë me:
-
Zvarritje ekstremisht të gjata të proceseve gjyqësore nga drejtësia vendase.
-
Vonesa të pafundme dhe probleme procedurale gjatë procesit të dëbimit drejt Shqipërisë.
-
Mungesë totale informacioni dhe mbrojtjeje për të drejtat e tyre elementare.
Ajo që e rëndon edhe më shumë gjendjen e tyre psikologjike është mungesa e plotë e kontaktit me përfaqësitë diplomatike shqiptare në Spanjë. Të dënuarit theksojnë se nuk kërkojnë asnjë privilegj, por vetëm mbështetjen ligjore e konsullore që i takon çdo shtetasi shqiptar jashtë vendit.
“Nuk po kërkojmë privilegje, kërkojmë vetëm të dëgjohemi e të informohemi. Ndoshta ky rast tragjik duhet të shërbejë si një moment reflektimi, që zëri i shqiptarëve në burgjet e huaja të mos dëgjohet vetëm kur ndodh një tragjedi,” shkruajnë ata.
JOQ Albania i bën thirrje publike organeve kompetente të reagojnë urgjentisht!