Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kërcënuar se do ta “bombardojë pa mëshirë” Omanin nëse ky vend arrin një marrëveshje të veçantë me Iranin për kontrollin e Ngushticës së Hormuzit, pavarësisht rolit kyç të Omanit si ndërmjetës mes Uashingtonit dhe Teheranit.
Përveç ndërmjetësimit të bisedimeve mes SHBA-së dhe Iranit, negociatorët omanë kanë zhvilluar paralelisht bisedime me Teheranin me synimin për të krijuar një korridor të sigurt për transportin detar përmes Ngushticës së Hormuzit. Sipas raportimeve, Irani kërkon të vendosë tarifa për kalimin e sigurt nëpër ngushticë pas një periudhe të përkohshme, ndërsa zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, u tha gazetarëve të hënën se Irani kishte arritur një “mirëkuptim” me Omanin për këtë çështje.
I pyetur për këto bisedime mes Omanit dhe Iranit, Trump i tha Fox News se “nëse Omani na del përpara, do ta bombardojmë pa mëshirë.”
SHBA-ja kundërshton çdo marrëveshje që do t’i lejonte Iranit të mblidhte tarifa për kalimin dhe Uashingtoni ka sinjalizuar se nuk do ta heqë bllokadën ndaj porteve iraniane nëse Teherani nuk heq dorë nga kjo kërkesë. Duke folur në Nju Jork të premten, Trump pretendoi se Republika Islamike ishte
“mposhtur shumë rëndë” dhe se së shpejti do të “shpallte Ngushticën e Hormuzit territor të SHBA-së.”
Një memorandum mirëkuptimi i nënshkruar nga SHBA-ja dhe Irani në qershor parashikonte një afat prej 60 ditësh për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të rihapur ngushticën. Memorandumi skadoi të hënën pa u arritur një marrëveshje, ndërsa të dyja palët kërcënuan me përshkallëzim.
Një zyrtar i lartë iranian i tha Reuters se Irani është i përgatitur “të përshkallëzojë tensionet në Ngushticën e Hormuzit dhe në rajonin më të gjerë” nëse diplomacia dështon, si dhe të ndërmarrë “sulme në kohën e duhur dhe me saktësi” për të thyer bllokadën detare amerikane, nëse është e nevojshme. Trump nuk iu përgjigj drejtpërdrejt këtij kërcënimi gjatë komenteve të tij për Fox News, por kërkoi që Irani të “ngrejë flamurin e dorëzimit.”
Në një postim në X të shtunën, zëvendësministri i Jashtëm iranian Kazem Gharibabadi i bëri thirrje Trumpit që të “pranojë realitetin” se SHBA-ja kishte pësuar “humbje strategjike dhe të rënda.”
“Ngushtica e Hormuzit ka qenë iraniane, është iraniane dhe do të mbetet iraniane,” shkroi Gharibabadi, duke shtuar se kjo rrugë ujore “do të mbyllet dhe do të hapet vetëm me urdhër të Iranit.”
Sulmet amerikano-izraelite ndaj Iranit në fund të shkurtit e shtynë Teheranin të mbyllte Ngushticën e Hormuzit, ndërsa Uashingtoni u përgjigj duke vendosur një bllokadë detare ndaj porteve iraniane. Bllokada ndërpreu trafikun në një prej korridoreve më të rëndësishme energjetike në botë, duke bërë që çmimet globale të naftës të rriteshin deri në 120 dollarë për fuçi.