Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytezën e Ksamilit në orët e para të mëngjesit të sotëm, ku një 20-vjeçar me shtetësi portugeze ka mbetur i vrarë pas një konflikti fizik që degjeneroi në përdorimin e armëve të ftohta.
Në pranga u vunë 11 persona dhe dy të tjerë u shpallën në kërkim.
Konflikti nisi rreth orës 05:15 në ambientet e lokalit “Principote” dhe u zhvendos më pas në zonën e plazhit të lokalit “Paradise”. Sipas hetimeve paraprake, i riu portugez L.V. është sulmuar fillimisht me grushte nga katër kamarierë të lokalit (S.S., E.B., M.Zh. dhe I.C.), të cilët janë larguar nga vendi i ngjarjes pas përleshjes.
Situata ka marrë një kthesë fatale kur në konflikt është përfshirë 29-vjeçari Sokrat Lipan (Vata), i cili dyshohet se e ka goditur disa herë me thikë viktimën. Në të njëjtën kohë, shtetasi D.H. dyshohet se e ka goditur gjithashtu me grushte 20-vjeçarin. Të dy këta persona akuzohen zyrtarisht për “Vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim”.
Një nga aspektet më tronditëse të zbardhura nga policia është mosveprimi i stafit të sigurisë. Në momentin e ngjarjes, në ambientet e lokalit shërbenin si truproja katër persona (një punonjës policie nga Gjirokastra, një punonjës i burgjeve, një punonjës i Policisë Bashkiake dhe një civil). Ata jo vetëm që nuk ndërhynë për të parandaluar përleshjen, por nuk njoftuan as autoritetet pas ngjarjes.
Gjithashtu, pronari i lokalit, B.B., është larguar menjëherë pas krimit pa njoftuar policinë, duke u shpallur tashmë në kërkim.
Autori i dyshuar i vrasjes, Sokrat Lipan, u arrestua paraditen e sotme në fshatin Levan të Fierit. Ai ishte fshehur në bagazhin e një makine të drejtuar nga një shtetase turke (E.P.) e shoqëruar nga një tjetër shtetas turk (N.M.), të cilët kishin për qëllim ta transportonin drejt Tiranës. Këta të fundit janë vënë në pranga për veprën penale “Përkrahje e autorit të krimit”.
Në total, gjatë operacionit janë shoqëruar 41 persona, nga të cilët 11 kanë përfunduar në pranga, ndërsa dy të tjerë (D.H. dhe pronari B.B.) janë shpallur në kërkim.