Detaje të reja janë zbardhur nga aksidenti tragjik i ndodhur në Manzë të Durrësit, ku tre persona humbën jetën. Mësohet se drejtuesi i automjetit, 25-vjeçari Kleo Vrioni, dhe pasagjerja Sara Brugentelli, 26 vjeçe, me origjinë nga Italia, ishin martuar vetëm pak ditë më parë.
Çifti udhëtonte me një automjet tip BMW, kur dyshohet se Vrioni humbi kontrollin e drejtimit dhe automjeti u përplas me një strukturë betoni. Përplasja rezultoi fatale për 25-vjeçarin Vrioni, bashkëshorten e tij Sara Brugentelli dhe 15-vjeçarin Alvi Muhaxhiri, të cilët ndodheshin në automjet në momentin e aksidentit.
Nga përplasja mbetën të plagosur edhe Rejsi Vrioni, 25 vjeç, dhe Klevis Dervishi, 16 vjeç. Të dy janë transportuar për ndihmë mjekësore në Tiranë, ndërsa 16-vjeçari Dervishi raportohet se ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat dhe dinamikën e aksidentit.