Një ngjarje e rëndë ka tronditur ishullin e njohur turistik të Mykonosit në Greqi, ku autoritetet vendase kanë nisur hetimet pas denoncimit të një turisteje 18-vjeçare me shtetësi italiane. E reja ka akuzuar një 23-vjeçar nga Kosova për sulm seksual, duke pretenduar se ai ka përfituar nga gjendja e saj e rënduar për të kryer marrëdhënie pa pëlqimin e saj.
Sipas dëshmisë që 18-vjeçarja ka dhënë para hetuesve grekë, ngjarja ka ndodhur mbi një shezlong në ambientet e një nga beach bar-et më të frekuentuara të ishullit, ku ajo po kalonte kohë së bashku me të dyshuarin.
Ajo ka sqaruar se gjatë qëndrimit aty kishte konsumuar një sasi mjaft të madhe alkooli, gjë që e kishte çuar në një gjendje të pafuqishme fizike dhe mendore. Në dëshminë e saj, e reja theksoi se për shkak të efektit të alkoolit e ka pasur të pamundur të reagojë apo të kundërshtojë veprimet e të riut, i cili dyshohet se shfrytëzoi paaftësinë e saj për t’u mbrojtur.
Menjëherë pas denoncimit të bërë nga e dëmtuara, policia e Mykonosit ngriti një grup të posaçëm hetimor dhe nisi kërkimet intensive për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar. Nëpërmjet verifikimeve operative dhe mbledhjes së provave në terren, efektivët arritën të bien në gjurmët e 23-vjeçarit me origjinë nga Kosova.
Ai u lokalizua dhe u prangos nga forcat e rendit në zonën e Platis Gialos. I arrestuari tashmë ndodhet në ambientet e paraburgimit dhe pritet të dalë përpara organeve kompetente gjyqësore për t’u njohur me masën e sigurisë, ndërsa hetimet e mëtejshme vijojnë për zbardhjen e plotë të të gjitha rrethanave të këtij incidenti.