Vrasja në Ksamil, punonjësi i policisë hedh dyshime: Bekim Bulica goditi me thikë turistin portugez

Vrasja në Ksamil, punonjësi i policisë hedh…

Një dëshmi e mbërritur në redaksinë e JOQ Albania ngre pikëpyetje të reja mbi dinamikën e vrasjes së turistit portugez 20-vjeçar në Ksamil, ngjarje e ndodhur në orët e para të mëngjesit të 18 gushtit në ambientet e lokalit “Principote” dhe më pas në zonën e plazhit.

Një punonjës policie ka kontaktuar redaksinë e JOQ Albania dhe pretendon se personi që ka goditur me thikë turistin nuk ka qenë Sokrat Vata, por Bekim Bulica, emri i të cilit është përfshirë tashmë në hetimet për ngjarjen.

Sipas punonjësit të policisë që ka kontaktuar redaksinë, Bulica ka qenë ai që ka goditur me thikë 20-vjeçarin, ndërsa pretendon se këtë version e kanë përmendur edhe persona që kanë qenë në vendngjarje.

“Po mundohen të fshehin ngjarjen sepse rezulton që pronari Bekimi është ai që ka goditur me thikë turistin 20-vjeçar. Edhe sipas dëshmitarëve tregojnë Bekimin, personin që ka sulmuar me thikë”, pretendon ai.

I njëjti person pretendon se dinamika e plotë e ngjarjes nuk po bëhet e qartë, duke e lidhur këtë me mungesën e pamjeve filmike nga kamerat e sigurisë.

“Do dalin këto dy ditë se po mundohen me e fsheh si ngjarje, për shkak se nuk ka pamje të kamerave”, pretendon ai, duke shtuar se, sipas tij, ka dëgjuar një oficer duke komunikuar në telefon me një drejtues në Drejtorinë e Policisë në Tiranë.

JOQ Albania nuk ka mundur të verifikojë në mënyrë të pavarur këto pretendime dhe nuk disponon prova të tjera që të vërtetojnë se Bekim Bulica ka qenë personi që ka goditur me thikë viktimën.

Në këto rrethana, JOQ Albania i kërkon Policisë së Shtetit dhe organeve hetimore të bëjnë transparencë të plotë mbi dinamikën e ngjarjes dhe të sqarojnë nëse pretendimi i bërë nga punonjësi i policisë qëndron apo jo, si dhe cili ka qenë roli i Bekim Bulicës dhe personave të tjerë të përfshirë.

Ndërkohë, versioni i bërë publik nga autoritetet e vendos Sokrat Lipan alias Sokrat Vata, 29-vjeç, si të dyshuarin kryesor për vrasjen, ndërsa Bekim Bulica, 36-vjeç, është shpallur në kërkim. Sipas të dhënave të hetimit, Bulica ndodhej në vendngjarje dhe më pas u largua drejt Tiranës, ndërsa roli i tij vijon të hetohet.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit