Një ngjarje e rëndë tronditi ditën e djeshme zonën e Dukagjinit, ku një vrasje e dyfishtë me armë zjarri u regjistrua rreth orës 17:20 në fshatin Mgull.
Viktima të kësaj ngjarjeje mbetën babë e bir, Prel dhe Lekë Gjoni, përkatësisht 82 dhe 57 vjeç. Të dy u qëlluan për vdekje me armë zjarri, ndërsa një person tjetër, mik i familjes, i cili ndodhej në automjet bashkë me ta, mbeti i plagosur rëndë.
Për ngjarjen tragjike, e cila ndodhi gjatë orëve të pasdites, Policia publikoi vetëm një njoftim zyrtar për mediat pasi një prej vështirësive kryesore për ndërhyrjen në zona të tilla lidhet me terrenin e thepisur dhe të vështirë, ndërsa për të mbërritur në vendngjarje nevojiten pothuajse dy orë.
Por vështirësitë e Policisë për të ndërhyrë në zona të thella malore lidhen edhe me gjendjen dhe mungesën e mjeteve të përshtatshme të transportit.
Për të denoncuar një rast të ngjashëm, një qytetar i është drejtuar redaksisë sonë. Ai ka treguar se si edhe Policia e Burrelit përballet me probleme të tilla pasi furgonat janë të vjetër e amortizuar.
Ai ka treguar me pamje një furgon të policisë Burrel që mezi ngjet malore pasi gomat janë vjetëruar, duke e bërë të vështirë lëvizjen në rrugë malore dhe terrene të vështira.
Për shkak të lëvizjes së ngadaltë, sipas qytetarit, u bllokua edhe qarkullimi për mjetet e tjera që lëviznin pas tij.
Denoncimi ngre pikëpyetje mbi gjendjen e mjeteve që përdoren nga strukturat e Policisë, veçanërisht në zona malore dhe të thella, ku ndërhyrja e shpejtë mund të jetë vendimtare.