Singapori ka lançuar qendrën e parë të të dhënave në botë që funksionon në mënyrë të pavarur duke përdorur qeliza të gjalla të trurit të njeriut për disa detyra kompjuterike, ka bërë të ditur Shkolla e Mjekësisë e Universitetit Kombëtar të Singaporit (NUS Medicine). Sistemi konsumon vetëm një pjesë të vogël të energjisë që përdorin pajisjet tradicionale kompjuterike. Neuronet ushqehen çdo tre ditë dhe mbahen gjallë përmes pajisjeve të posaçme të mbështetjes së jetës.
NUS Medicine prezantoi prototipin në fillim të këtij muaji në partneritet me operatorin e qendrave të të dhënave me bazë në Singapor, DayOne, dhe kompaninë australiane të bioteknologjisë Cortical Labs. I vendosur në ambientet e universitetit, sistemi përshkruhet nga zhvilluesit e tij si serveri i parë biologjikisht i integruar në botë që funksionon në mënyrë të pavarur.
Objekti përbëhet nga 20 kompjuterë biologjikë CL1, ku secili përmban të paktën 200 mijë neurone njerëzore të rritura në laborator, të vendosura mbi një çip silikoni të pajisur me elektroda. Këto neurone, të krijuara nga qeliza gjaku të riprogramuara në qeliza staminale, shkëmbejnë sinjale elektrike me pajisjet tradicionale dhe e shndërrojnë aktivitetin e tyre në fuqi përpunuese kompjuterike.
Themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i Cortical Labs, Hon Weng Chong, tha se prototipi e çon kompjuterizimin biologjik “nga kërkimi shkencor drejt aplikimit komercial”, duke argumentuar se kjo teknologji mund të plotësojë inteligjencën artificiale në raste ku “të dhënat janë të pakta” dhe kushtet ndryshojnë vazhdimisht.
Ai përmendi si përdorime të mundshme zbulimin e ilaçeve të reja, robotikën humanoide, sigurinë kibernetike dhe zbulimin e mashtrimeve.
Ndryshe nga qendrat tradicionale të të dhënave, të mbushura me serverë që konsumojnë shumë energji dhe sisteme ftohjeje, kompjuterët biologjikë mund të funksionojnë me një pjesë shumë më të vogël të energjisë, duke shfrytëzuar aftësitë natyrore përpunuese të rrjeteve nervore të gjalla.
Mbajtja në funksion e këtyre “kompjuterëve” i ngjan më shumë mirëmbajtjes së një laboratori sesa një dhome serverësh. Teknikët i ushqejnë qelizat çdo tre ditë me një përzierje sheqeri, mikronutrientësh dhe rregulluesish të pH-së, ndërsa një sistem gazi furnizon qelizat me dioksid karboni, oksigjen dhe azot.
Sipas Chong, çdo njësi CL1 konsumon rreth 30 vat energji, duke përfshirë edhe pajisjet e mbështetjes së jetës. Për krahasim, procesori i inteligjencës artificiale Nvidia H100 SXM mund të konsumojë deri në 700 vat gjatë ngarkesave të mëdha, ndërsa një server me tetë çipa të tillë mund të arrijë rreth 10200 vat, duke përfshirë pajisjet mbështetëse.
Dallimi në konsum energjie është veçanërisht i rëndësishëm për Singaporin, i cili në vitin 2019 pezulloi përkohësisht ndërtimin e qendrave të reja të të dhënave për shkak të shqetësimeve mbi përdorimin e madh të energjisë elektrike dhe ujit. Në vitin 2020, qendrat e të dhënave përbënin rreth 7% të konsumit total të energjisë elektrike të vendit.
Megjithatë, kjo teknologji nuk synon të zëvendësojë çipat prej silikoni. Chong tha se silikoni mbetet “shumë më superior” për llogaritjet e shpejta dhe të përsëritshme që qëndrojnë pas modeleve të mëdha gjuhësore si ChatGPT.
Por sistemet biologjike kanë një avantazh tjetër, ato mund të mësojnë nga më pak shembuj dhe të përshtaten më lehtë me ndryshimin e kushteve.