“Magjistari” i arratisjeve, Taulant Toma, ka përfunduar sërish në pranga, pas më shumë se tetë muajsh në kërkim. 42-vjeçari shqiptar, i njohur edhe me pseudonimin Admir Dedinca, është arrestuar në Tarragona të Katalonjës nga Policia Kombëtare spanjolle.
Toma ishte shpallur në kërkim nga autoritetet italiane që prej 7 dhjetorit 2025, kur arriti të arratisej nga burgu i sigurisë së lartë Opera, në Milano. Arrestimi u krye më 23 gusht, ndërsa autoritetet spanjolle e bënë publik operacionin më 26 gusht. Gjatë ndërhyrjes, shqiptari raportohet se ka bërë rezistencë ndaj efektivëve.
Ai është i dënuar për grabitje në vila, vjedhje, posedim droge dhe armësh, ndërsa sipas autoriteteve italiane, duhet të vuajë ende pjesën e mbetur të dënimit. Lirimi i tij ishte parashikuar për vitin 2048.
Arratisja e fundit e Tomës ishte realizuar më 7 dhjetor 2025, pavarësisht se ai konsiderohej një i burgosur me rrezik të lartë arratisjeje.
I mbajtur në një qeli në katin e tretë, 42-vjeçari kishte siguruar një sërë mjetesh, mes tyre sharrë, limë, pincë, pjesë metali dhe çelësa anglezë. Me to ai preu hekurat e qelisë dhe krijoi një hapësirë për të dalë jashtë.
Për të kaluar përmes hekurave, Toma kishte humbur peshë, ndërsa shoku i tij i qelisë tentoi të ndiqte të njëjtën rrugë, por nuk arriti.
Më pas, shqiptari zbriti nga një lartësi prej më shumë se 15 metrash duke përdorur çarçafë të lidhur me njëri-tjetrin si litar. Arratisja nuk përfundoi aty. Ai duhej të kapërcente edhe murin rrethues, rreth gjashtë metra të lartë.
Për këtë kishte përgatitur një mjet të improvizuar, duke bashkuar bishta fshesash me shirit ngjitës dhe duke vendosur një grep hekuri në fund. Me këtë pajisje arriti të kapte pjesën e sipërme të murit dhe të dilte jashtë burgut.
Kamerat e sigurisë e regjistruan duke u larguar në këmbë rreth orës 06:30. Mungesa e tij u konstatua rreth orës 08:00, kur gardianët gjetën shtratin bosh.
Pas arratisjes, autoritetet gjetën një furgon të braktisur në një zonë pushimi pranë unazës rrugore, duke ngritur dyshime se Toma mund të kishte pasur ndihmë nga persona jashtë burgut.
Edhe koha e zgjedhur për arratisjen ka ngritur pikëpyetje, pasi ajo ndodhi në një ditë feste, kur numri i personelit në burg ishte më i reduktuar.
Hetuesit shqyrtuan gjithashtu rolin e shokut 25-vjeçar të qelisë, i cili dyshohet se mund të ketë pasur dijeni për planin ose ta ketë ndihmuar gjatë përgatitjeve.
Arratisja nga Opera ishte e katërta për Taulant Tomën.
Herën e parë ai u arratis në vitin 2009 nga burgu i Ternit, në Umbria, gjatë një ndeshjeje futbolli. Pas disa muajsh në arrati, autoritetet e lokalizuan dhe e arrestuan në Pavia.
Në shkurt të vitit 2013, ai realizoi arratisjen e dytë, këtë herë nga burgu i sigurisë së lartë në Parma. Edhe atëherë përdori mjete për prerjen e hekurave dhe, pas largimit nga Italia, u lokalizua në Belgjikë.
Por edhe në Belgjikë historia u përsërit. Arratisja e tretë ishte organizuar me ndihmën e disa personave. Një automjet u parkua pranë hyrjes së rezervuar për furnitorët, ndërsa një efektiv u sulmua dhe u mor peng.
Në të njëjtën kohë, brenda burgut u krijua një situatë kaotike për të shpërqendruar rojet. Disa të dënuar formuan një “piramidë njerëzore”, mbi të cilën Toma u ngjit për të kapërcyer murin dhe për t’u arratisur.
Pas arrestimit, ai u ekstradua përsëri drejt Italisë. Atje përfundoi sërish në burg, nga ku në dhjetor të vitit 2025 do të realizonte arratisjen e tij të katërt.
Tashmë, pas më shumë se tetë muajsh në arrati, “magjistari” shqiptar i arratisjeve është kapur në Spanjë dhe pritet të përballet me procedurat për ekstradimin drejt Italisë.