Helikopteri përplaset me kabllot dhe shpërthen në flakë, dy të vdekur

Helikopteri përplaset me kabllot dhe shpërthen në…

Dy persona kanë humbur jetën të mërkurën, pasi helikopteri tip giroplan, me të cilin po udhëtonin u përplas me disa kabllo pranë një dige në zonën malore të Piemontes, në veri të Italisë.

Aksidenti ndodhi rreth orës 11:30, pranë digës së Camplicciolit, në territorin e komunës Antrona Schieranco, në provincën Verbano-Cusio-Ossola.

Sipas raportimeve paraprake, giroplani u përplas me kabllot e një linje shërbimi që përdorej për të hyrë në zonën e digës. Pas përplasjes, mjeti u përfshi nga flakët dhe u rrëzua në afërsi të liqenit të Camplicciolit.

Në vendngjarje u mobilizuan zjarrfikësit, forcat e sigurisë dhe ekipet mjekësore të urgjencës. Për shkak të terrenit të vështirë, në operacion u përfshi edhe një helikopter i zjarrfikësve nga Malpensa.

Viktimat janë identifikuar si Alessandro Angelo Muscinelli, 62 vjeç, piloti i giroplanit, dhe Antonella Pagliarani, 63 vjeç. Sipas mediave italiane, Muscinelli ishte inxhinier dhe banonte në Premeno, ndërsa Pagliarani jetonte në zonën e Milanos.

Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e aksidentit.

Sipas rindërtimit fillestar, giroplani mund të ketë humbur orientimin pasi është përballur me një zonë me re dhe shikueshmëri të kufizuar. Një nga hipotezat është se piloti mund të ketë tentuar të ndryshonte drejtim, përpara se mjeti të përplasej me kabllot.

Kjo hipotezë, megjithatë, nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Giroplani nuk është një helikopter tradicional. Ai përdor një helikë për lëvizjen përpara, ndërsa rotori i vendosur sipër mjetit rrotullohet lirshëm nga rrjedha e ajrit. Ky lloj mjeti përdoret kryesisht për fluturime rekreative dhe sportive.

Hetimet vijojnë për të sqaruar dinamikën e plotë të tragjedisë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit