Një qytetar i është drejtuar JOQ Albania për të denoncuar situatën e krijuar me mbeturinat në Pyllin e Sodës, në Vlorë, pranë zonës së Venusit.
Sipas tij, gjatë ditës së sotme, në këtë zonë janë konstatuar mbeturina të grumbulluara rreth koshave, ndërsa një pjesë e hapësirës duket se nuk është pastruar prej disa ditësh.
Qytetari thotë se kjo situatë nuk është e ditëve të fundit, por se gjendja vijon prej rreth një jave. Mbeturinat e lëna përreth koshave jo vetëm që krijojnë një pamje të papastër, por përbëjnë gjithashtu një shqetësim për qytetarët dhe pushuesit që frekuentojnë zonën.
Ai thekson se qëllimi i denoncimit nuk është fajësimi i një institucioni apo personi të caktuar, por tërheqja e vëmendjes së strukturave përgjegjëse për pastrimin dhe mirëmbajtjen e kësaj hapësire.
“Ju lutem, kushdo që është përgjegjës për pastrimin e kësaj zone, të ndërhyjë dhe ta pastrojë sa më shpejt”, shprehet qytetari.
Në fund, ai apelon edhe për qytetarët që të tregojnë më shumë përgjegjshmëri dhe të kontribuojnë në mbajtjen pastër të hapësirave publike, të cilat janë të përbashkëta për të gjithë.
