U fut për t’u larë në lumin Drin me të afërmit, gjendet trupi i pajetë i 7-vjeçares

U fut për t’u larë në lumin…

Është gjetur trupi i pajetë i një vajze rreth 7 vjeçe, e cila dyshohej se ishte mbytur një ditë më parë në lumin Drin, në zonën e Gjoricës, në Bulqizë.

Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e djeshme, kur pesë persona, mes tyre një xhaxha dhe katër fëmijë, kishin hyrë në lumë për t’u larë. Dyshohet se rritja e menjëhershme e prurjeve të lumit, pas hapjes së portave të një hidrocentrali në Dibër të Madhe, ka bërë që ata të përfshihen nga rrjedha e ujit.

Familjarët kanë njoftuar Policinë rreth orës 21:00. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur kërkimet për personat e rrezikuar.

Pas rreth katër orësh operacion kërkimi, katër prej tyre u arrit të shpëtoheshin. Ndërkohë, kërkimet vijuan gjatë gjithë kohës për vajzën e vogël, e cila mbeti e zhdukur.

Trupi i saj është gjetur tashmë në lumin Drin, duke i dhënë fund kërkimeve për të.

Ngjarja po hetohet nga autoritetet për të sqaruar rrethanat e plota të incidentit.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit