Grabitet në Vjenë gjerdani me 673 diamante i Mbretëreshës Nazli

Grabitet në Vjenë gjerdani me 673 diamante…

Një gjerdan i rrallë, që dikur i përkiste Mbretëreshës Nazli të Egjiptit, është vjedhur nga Muzeu i Arteve të Aplikuara (MAK) në Vjenë, gjatë një ekspozite me bizhuteri të shtëpisë franceze Van Cleef & Arpels. Policia austriake ka publikuar fotografitë e gjerdanit dhe të dy personave të dyshuar për grabitjen. Sipas të dhënave të muzeut, bizhuteri përbëhet nga 673 diamante, me peshë totale mbi 200 karatë, dhe nuk pati persona të lënduar gjatë ngjarjes.

Gjerdani, i cili dikur ishte pjesë e koleksionit të Mbretëreshës Nazli, ishte mbajtur prej saj në vitin 1939, gjatë dasmës së vajzës së saj, Fauzia, me Princin e atëhershëm të Kurorës së Iranit, Mohammad Reza Pahlavi, i cili më vonë u bë Shah i Iranit. Vlera e tij është e konsiderueshme: në vitin 2015, gjerdani u shit për rreth 4.3 milionë dollarë në një ankand të organizuar nga Sotheby’s në Nju Jork. Ai ishte pjesë e ekspozitës së MAK, e cila prej qershorit prezantonte më shumë se 300 vepra nga koleksioni i Van Cleef & Arpels.

Sipas policisë austriake, dy persona të panjohur hynë me forcë në vitrinën e ekspozimit ndërsa muzeu ishte i hapur, morën gjerdanin dhe u larguan me vrap. Kamerat e sigurisë kanë fiksuar dy të dyshuarit, të veshur me të zeza, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për identifikimin dhe arrestimin e tyre. Muzeu ka konfirmuar grabitjen, por ka bërë të ditur se nuk do të japë detaje të tjera për sa kohë hetimet janë në zhvillim.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit