Trabzonspori jasht Europa League: Muçi e Salah dëshmitarë të natës së ferrit, dorëhiqet trajneri

Trabzonspori jasht Europa League: Muçi e Salah…

Një mbrëmje për t’u harruar për Trabzonsporin, që u eliminua në mënyrë të hidhur nga Europa League pas humbjes së thellë 4-0 ndaj Ferencvarosit në Budapest. Skuadra turke e mbylli përballjen me një rezultat të përgjithshëm 5-0 dhe tashmë do të vijojë aventurën europiane në Conference League.

Makthi për Trabzonsporin nisi që në minutën e 13-të, kur Malinovskyi u ndëshkua me karton të kuq, duke e lënë ekipin me një lojtar më pak në një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit. Ferencvarosi përfitoi dhe gjeti golin e avantazhit me O’Dowda.

Në pjesën e dytë situata u përkeqësua edhe më shumë. Corbu, Bamidele dhe Lisztes tundën rrjetën, duke vulosur një fitore të thellë 4-0. Nga minuta e 57-të, Trabzonspori luajti edhe me nëntë lojtarë, duke e bërë thuajse të pamundur çdo tentativë për rikthim.

Në formacionin e skuadrës turke ishte edhe sulmuesi shqiptar Ernest Muçi, i cili u aktivizua gjatë pjesës së parë. Në fushë ishte gjithashtu Mohamed Salah, por egjiptiani, pavarësisht dy golave të shënuar në kampionat vetëm pak ditë më parë, nuk arriti të ndryshonte fatin e Trabzonsporit në Budapest.

Pas përfundimit të takimit erdhi edhe goditja tjetër. Trajneri Fatih Tekke njoftoi dorëheqjen e tij, duke marrë përgjegjësinë pas eliminimit të rëndë.

“Po jap dorëheqjen. Humbja e sotme nuk është diçka që mund të pranohet. Që sot, unë nuk jam më aty”, deklaroi Tekke pas ndeshjes.

Tekke kishte marrë drejtimin e Trabzonsporit në mars të vitit 2025, por aventura e tij në stol përfundoi pas kësaj disfate të rëndë europiane. Tashmë klubi turk duhet të nisë një kapitull të ri, ndërsa Ernest Muçi, Mohamed Salah dhe pjesa tjetër e skuadrës do të vijojnë sezonin në fazën kryesore të Conference League.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit