Denoncimi i publikuar në JOQ Albania për vjedhjen e një bidoni me naftë në një karburant në Vlorë ka marrë një tjetër rrjedhë.
Vetëm pas publikimit të pamjeve, tre të rinjtë e përfshirë në ngjarje janë rikthyer në karburant, ku kanë kthyer bidonin që kishin marrë nga zyra.
Por nuk është mjaftuar vetëm me kthimin e sendit. Të rinjtë kanë kërkuar edhe falje për veprimin e kryer, duke reflektuar pas publikimit të rastit.
Ngjarja kishte ndodhur ditën e djeshme, kur tre të rinjtë ndaluan automjetin pranë karburantit dhe, pasi konstatuan se punonjësi nuk ndodhej në zyrë, njëri prej tyre hyri brenda dhe mori bidonin me naftë.
Në denoncimin e tij, qytetari kishte theksuar se shqetësimi kryesor nuk ishte vlera e naftës, por vetë veprimi, duke u bërë thirrje të rinjve ta kthenin sendin dhe të mos e çonin situatën më tej.
Duket se thirrja ka dhënë rezultat.
Pas publikimit në JOQ Albania, bidoni është kthyer dhe të rinjtë kanë kërkuar falje, duke e mbyllur në këtë mënyrë situatën pa pasoja të mëtejshme.