I dhunuan nipin kamarier dhe s’i dhanë rrogën, xhaxhai shkon me kallash te pronari i hotelit

I dhunuan nipin kamarier dhe s’i dhanë…

Një konflikt i nisur për pagën e një kamerieri 18-vjeçar ka marrë përmasa të rënda në zonën e Malit të Robit, në Golem, duke rrezikuar të përfundonte në një ngjarje me pasoja fatale.

Ngjarja nisi në një hotel ku punonte si kamerier 18-vjeçari Genti Nela. Sipas Policisë, i riu është dhunuar pas një konflikti të lindur për pagesën e punës së kryer. Në dhunimin e tij dyshohet se janë përfshirë katër persona.

Pas incidentit, 18-vjeçari u dërgua në Spitalin e Kavajës, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Por situata mori një tjetër kthesë kur lajmi për dhunimin mbërriti te familjarët e të riut. Xhaxhai i tij, 47-vjeçari Melison Nela, dyshohet se ka marrë një kallashnikov dhe është nisur me automjet drejt hotelit.

Sipas hetimeve, 47-vjeçari kishte ndërmend të përballej me personat që dyshonte se kishin dhunuar nipin dhe, sipas Policisë, synonte t’i vriste.

Autoritetet arritën ta ndalonin përpara se të mbërrinte në hotel. Pas informacionit të marrë në rrugë operative, shërbimet e Policisë lokalizuan automjetin dhe kryen kontrollin e tij.

Në një çantë shpine që kishte me vete u gjet një kallashnikov, tre karikatorë dhe 84 fishekë luftarakë. Melison Nela u arrestua në flagrancë, ndërsa arma dhe municionet u sekuestruan.

Në vijim të hetimeve për dhunimin e 18-vjeçarit, Policia arrestoi edhe Florian Habilajn, 28 vjeç, djalin e pronarit të hotelit, si dhe Enold Dragotin, 20 vjeç. Një tjetër 36-vjeçar është shpallur në kërkim, ndërsa një person tjetër, gjithashtu 36 vjeç, po procedohet në gjendje të lirë.

Në qendër të hetimit janë edhe veprimet e kryera në hotel pas konfliktit. Kur mbërritën në vendngjarje, efektivët konstatuan se ambienti ku kishte ndodhur përplasja ishte pastruar. Ndërkohë, DVR-ja ku ruheshin pamjet e kamerave të sigurisë ishte hequr dhe kabllot e sistemit të kamerave ishin prerë.

Policia dhe Prokuroria po vijojnë hetimet për të zbardhur të plotë dinamikën e ngjarjes, nga konflikti për pagën dhe dhunimi i 18-vjeçarit, deri te tentativa e dyshuar për përballje të armatosur dhe ndërhyrjet e kryera në hotel pas ngjarjes.

Nëse 47-vjeçari nuk do të ishte ndaluar në kohë, një konflikt që nisi për pagën e një kamerieri mund të kishte përfunduar në një tragjedi.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit