Në prag të vitit shkollor, shteti bën bamirësi me libra të grisur copë-copë

Në prag të vitit shkollor, shteti bën…

Të grisur, të zhgarravitur, të dëmtuar dhe madje të paplotë. Kjo është gjendja e librave shkollorë që u janë dhënë fëmijëve si pjesë e teksteve që shteti i ofron “falas”.

Pamjet e dërguara në redaksi tregojnë libra që duket se kanë kaluar nëpër duart e shumë nxënësve, me kopertina të dëmtuara, faqe të grisura, shkrime dhe vizatime me stilolaps, duke lënë përshtypjen e çdo gjëje tjetër përveç një materiali të denjë për t’u përdorur nga fëmijët në shkollë.

Por problemi nuk përfundon këtu.

Sipas prindit, Matematika dhe Gjuha Shqipe mungojnë fare dhe nuk u janë dhënë. Pra, familjes i dorëzohet një pjesë e librave në gjendje të mjerueshme, ndërsa dy nga tekstet më të rëndësishme për nxënësin mungojnë plotësisht.

“Këto janë librat që shteti na i jep falas. Ne do i blejmë gjithsesi. Po të paktën mos të na hiqen sikur kemi shtet që mendon për fëmijët”, shkruan qytetari.

Një situatë që ngre pikëpyetje serioze: çfarë quhet konkretisht “falas”?

A quhet falas një libër që i dorëzohet fëmijës i grisur dhe i mbushur me zhgarravina? A quhet falas kur prindi duhet të blejë vetë tekstet që mungojnë? Dhe mbi të gjitha, a mund të flitet për “kujdes ndaj fëmijëve” kur nxënësit detyrohen të nisin vitin shkollor me libra të dëmtuar?

Është e lehtë të dalësh në konferenca, të bësh deklarata dhe të flasësh për investime në arsim e për mbështetjen e fëmijëve.

Por realiteti matet te banka e shkollës, jo te propaganda.

Dhe realiteti që sjell ky denoncim është një fëmijë që merr në duar një libër të grisur, të zhgarravitur e të konsumuar, ndërsa prindi duhet të hapë portofolin për të blerë atë që shteti premton se e siguron falas.

Nëse këto janë standardet me të cilat trajtohen tekstet shkollore, atëherë pyetja është e thjeshtë: ku shkojnë paratë dhe ku mbetet kujdesi për nxënësit?

Sepse fëmijët nuk kanë nevojë për propagandë. Kanë nevojë për libra të plotë, të përdorshëm dhe dinjitozë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit