Sa vite duhen për t'i nxjerrë lekët një apartamenti që blihet në Tiranë?!

Sa vite duhen për t’i nxjerrë lekët…

Çmimet e banesave dhe qirave kanë fluturuar në qiell, por aritmetika e fitimit nuk del. Nëse po mendoni të blini një shtëpi për ta dhënë me qira, qoftë tradicionale apo në Airbnb, shifrat tregojnë se ky investim nuk është më aq i leverdisshëm sa duket në letër.

Për një apartament mesatar prej 80 metrash katrorë në Tiranë, çmimi i blerjes shkon rreth 168,000 euro, duke llogaritur një mesatare prej 2,100 eurosh për metër katror, pa futur fare në llogari shpenzimet e kripura të mobilimit. Nga ana tjetër, të ardhurat bruto nga qiraja për pronat në Airbnb për gjashtëmujorin e parë të 2026-ës llogariteshin rreth 765 euro në muaj. Kjo përkthehet në një kthim bruto prej rreth 5.5% në vit. Nëse nga kjo shifër zbritet mobilimi, mirëmbajtja, taksat dhe amortizimi i ndërtesës, kthimi neto në xhep bie ndjeshëm poshtë kufirit të 5%.

Sipas standardeve globale të tregut, një pronë e shëndetshme duhet t’i rikuperojë paratë e investuara brenda 12 deri në 15 vjetëve. Në Tiranë, me tregun aktual, duhen minimalisht 19 vjet vetëm për të parë mbrapsht paratë e blerjes bruto, pa llogaritur aspak kostot e përditshme të mbajtjes së pronës.

Ironia më e madhe e kësaj situate është se sot mund të fitosh më shumë pa lëvizur gishtin nga vendi. Obligacionet 20-vjeçare të qeverisë shqiptare ofrojnë një yield prej 6.5%, ndërsa ato 15-vjeçare kapin rreth 6.22%.

Me fjalë të tjera, instrumentet financiare me rrezik zero po paguajnë sot më mirë sesa tregu i pasurive të paluajtshme, duke e bërë blerjen e apartamenteve për qira një zgjedhje gjithnjë e më pak tërheqëse për kursimet e qytetarëve.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit