Një shtetas shqiptar, i cili ndodhet për pushime në Turqi, ka dërguar pranë redaksisë së JOQ Albania pamje nga zona e Avsallarit, duke ngritur shqetësimin për shkarkimin e ujërave të zeza pranë detit.
Në pamjet e dërguara shihet një kanal që përfundon direkt e në det ndërsa në të njëjtën zonë ndodhen pushues që lahen. Sipas raportimit të qytetarit, pranë kanalit ndodhet gjithashtu një restorant ku pushuesit qëndrojnë dhe ushqehen.
Shqiptari e ka shoqëruar videon me një koment ironik për situatën, duke e krahasuar me problematikat që shpesh raportohen në plazhet shqiptare.
“Jo vetëm në Shqipëri derdhen ujërat e zeza në det. Këtu ndodhemi në Turqi, Avsallar. Këtu është më keq se në Durrës, kot e shajnë Durrësin. Ja ku është kanali i ujërave të zeza. Këtu lahen edhe pushuesit dhe këtu është edhe restoranti ku hanë”, shkruan ai.
Sipas tij fajtorët e vetëm të kësaj situate janë pushuesit që krijojnë ndotje dhe pastaj lahen po aty.