Shqipëria mban shpresa te 2030, Islanda i thotë “jo” rifillimit të negociatave për anëtarësimin në BE

Shqipëria mban shpresa te 2030, Islanda i…

Islanda ka votuar kundër rifillimit të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, 13 vjet pasi procesi u ndërpre. Sipas rezultateve të raportuara nga transmetuesi publik islandez RÚV, 52.8% e votuesve kundërshtuan propozimin e qeverisë, ndërsa 47.2% votuan pro. Diferenca ishte rreth 12,600 vota.

Pjesëmarrja në referendum arriti në 82.5%, niveli më i lartë i regjistruar në një proces zgjedhor në Islandë që prej vitit 2009. Rreth 270 mijë qytetarë kishin të drejtë vote.

Një prej faktorëve që ndikuan në debat ishte edhe politika e presidentit amerikan Donald Trump ndaj Groenlandës, ndërsa shqetësime të tjera lidhen me aktivitetin ushtarak dhe detar të Rusisë në rajonin e Atlantikut të Veriut.

Megjithatë, në Islandë debati u përqendrua kryesisht te peshkimi dhe ruajtja e sovranitetit ekonomik, më shumë sesa te çështjet e sigurisë pasi peshkimi dhe industria detare përbëjnë rreth 40% të eksporteve islandeze.

Kundërshtarët e rifillimit të negociatave druheshin se anëtarësimi në BE do të kufizonte kontrollin e Islandës mbi zonat e saj të pasura të peshkimit, përmes politikës së përbashkët të BE-së për peshkimin.

Islanda aplikoi për anëtarësim në BE në vitin 2009, pas krizës së rëndë financiare dhe kolapsit të sistemit bankar. Negociatat përparuan ndjeshëm, por në vitin 2013, pas ardhjes në pushtet të një qeverie euroskeptike, procesi u pezullua.

Sot, Islanda është pjesë e Zonës Ekonomike Evropiane dhe e zonës Schengen, duke pasur akses në tregun e përbashkët evropian, por nuk është anëtare e BE-së. Anëtarësimi do ta përfshinte vendin edhe në unionin doganor dhe, në një fazë të mëvonshme, do ta orientonte drejt adoptimit të euros.

Rezultati në Islandë vjen në një periudhë kur zgjerimi i Bashkimit Evropian mbetet një prej çështjeve kryesore në agjendën evropiane, veçanërisht pas luftës në Ukrainë dhe ndryshimeve gjeopolitike në kontinent.

Për Shqipërinë, e cila prej vitesh ndjek procesin e integrimit në BE dhe ka hapur negociatat e anëtarësimit, zhvillimet në vende si Islanda tregojnë se marrëdhënia me Bashkimin Evropian nuk përcaktohet vetëm nga kriteret ekonomike apo politike, por edhe nga debatet e brendshme mbi sovranitetin, sektorët strategjikë dhe interesat kombëtare.

Ndryshe nga Islanda, Shqipëria është tashmë vend kandidat që po zhvillon negociata për anëtarësim. Tirana e ka vendosur integrimin evropian në qendër të politikës së jashtme dhe objektivit të saj strategjik, ndërsa procesi kërkon përparim të mëtejshëm në reformat dhe përafrimin me standardet e BE-së.

Në Islandë, ndërkohë, rezultati i referendumit tregon se edhe një vend me lidhje shumë të ngushta ekonomike dhe institucionale me BE-në mund të zgjedhë të mos e çojë më tej procesin e anëtarësimit, kur çështje si peshkimi, sovraniteti dhe kontrolli mbi burimet kombëtare peshojnë më shumë në opinionin publik.

Pavarësisht rezultatit, qeveria islandeze pritet të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me Brukselin. Vota “jo” nuk e mbyll përgjithmonë debatin për anëtarësimin, por për momentin e shtyn Islandën larg rrugës drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit