Të mbijetuarit e mbytjes së një trageti pasagjerësh në brigjet e Kyrenias, në Qipro, kanë rrëfyer momentet e panikut dhe kaosit në bord, duke ngritur edhe akuza të rënda ndaj ekuipazhit. Deri tani raportohet për 8 viktima, ndërsa dhjetëra persona rezultojnë ende të zhdukur. Në traget ndodheshin rreth 267 persona, ndërsa qindra të tjerë janë shpëtuar.
Një prej të mbijetuarve, Ibrahim Kanbolat, ka treguar se gjithçka ndodhi shumë shpejt pasi uji nisi të futej në mjet. Sipas tij, kur pasagjerët njoftuan ekuipazhin, ata u thanë se një situatë e tillë ishte “normale” dhe se ishin mësuar me të. Kanbolat rrëfeu se anija nisi të anohej, ndërsa pasagjerëve nuk iu shpërndanë jelekë shpëtimi. “Secili shpëtoi me forcat e veta”, deklaroi ai, duke theksuar se në bord kishte edhe fëmijë dhe persona që nuk dinin të notonin.
I mbijetuari tha gjithashtu se anëtarët e ekuipazhit ishin me origjinë pakistaneze dhe se kishte vështirësi në komunikimin me pasagjerët. “Xhamat ishin thyer dhe anija po anohej. Edhe tani nuk e dimë saktësisht se çfarë ndodhi. Jemi në gjendje shoku”, u shpreh Kanbolat. Ai tregoi se në fund u shpëtua nga një mjet privat. Ndërkohë, operacioni i kërkim-shpëtimit vijon, ndërsa autoritetet po hetojnë shkaqet e mbytjes dhe nëse ka pasur mangësi në masat e sigurisë.