Një skaf me 8 persona në bord ka rrezikuar të fundosej në ujërat pranë Spillesë, pasi pësoi defekt në motor dhe u mbush me ujë. Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare reaguan menjëherë pas marrjes së njoftimit për mjetin lundrues që ndodhej në vështirësi, rreth 1 milje nga bregu, në drejtim të Forsilukut.
Në bord ndodheshin drejtuesi i skafit dhe 7 familjarë të tij. Për shkak të defektit në motor, mjeti nisi të mbushej me ujë dhe rrezikonte të fundosej. Shërbimet policore ndërhynë menjëherë, duke u dhënë ndihmën e nevojshme të 8 personave dhe duke tërhequr skafin drejt bregut. Mjeti u nxor në breg në zonën e Karpenit.
Të gjithë personat në bord rezultuan në gjendje të mirë shëndetësore dhe falënderuan efektivët për ndërhyrjen e shpejtë. Nga verifikimet pas incidentit rezultoi se skafi kishte dokumentacion të rregullt, ndërsa drejtuesi dispononte leje drejtimi për mjetin lundrues.