Trupi i pajetë i një personi, i gjetur të premten në zonën e grykëderdhjes së Semanit, vijon të mbetet i paidentifikuar. Për shkak të dekompozimit të avancuar, ekspertiza paraprake në morgun e Fierit nuk ka mundur të përcaktojë identitetin e viktimës, ndërsa kufoma është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë për ekzaminime të mëtejshme.
Ekspertët pritet të kryejnë analizën e ADN-së, ndërsa do të përpiqen të përcaktojnë më saktë moshën e viktimës, kohën dhe shkakun e vdekjes. Sipas Policisë së Fierit, bëhet fjalë për një person të seksit mashkull dhe gjatë këqyrjes paraprake nuk janë konstatuar shenja dhune. Paraprakisht, mjekët ligjorë kanë vlerësuar se vdekja mund të ketë ndodhur rreth dy muaj përpara gjetjes së trupit.
Ndërkohë, autoritetet po vijojnë verifikimet për denoncime të ndryshme për persona të zhdukur, përfshirë raste të raportuara në Fier dhe qytete të tjera të vendit. Rezultatet e analizave mjeko-ligjore dhe ADN-së pritet të ndihmojnë në përcaktimin e identitetit të viktimës dhe rrethanave të vdekjes.