Një ngjarje e rëndë ka tronditur Pogradecin, ku 37-vjeçarja shtatzënë Marjana Karolina Bunaj ka humbur jetën teksa po transportohej drejt Tiranës për ndihmë të specializuar mjekësore. Familjarët ngrenë pikëpyetje mbi mënyrën se si është menaxhuar situata në maternitetin e Pogradecit dhe kërkojnë zbardhjen e plotë të rrethanave.
Motra e saj, Albina Mekolli, e cila e shoqëroi Marjanën gjatë qëndrimit në maternitet, ka rrëfyer momentet e vështira. “Në orën 12 më merr në telefon dhe më tha: ‘Eja se kam dhimbje të forta barku’. Shkova shumë shpejt sepse jemi afër. E çova në maternitet sepse ishte shtatzënë. Mjekja roje i bëri një vizitë, një eko dhe tha se ka një gjakderdhje të brendshme”, tregoi ajo.
Sipas dëshmisë së motrës, familjarët u njoftuan se 37-vjeçarja duhej të transportohej drejt Tiranës, ndërsa u diskutua edhe mundësia e transportit me helikopter. “Dëgjova që po thonin helikopterin, por u shprehën se nuk vjen dot sepse është natë”, rrëfeu Mekolli. Ajo pretendon se pati vonesa përpara nisjes me ambulancë: “Me ambulancë e nisën pas orës 4 të mëngjesit. Në Pogradec nuk iu bë asnjë ndërhyrje kirurgjikale. Në tre orë i vunë vigonë për serume dhe gjak”.
Familjarët kërkojnë një hetim të plotë për të përcaktuar nëse vonesat kanë ndikuar në përkeqësimin e gjendjes së 37-vjeçares. “Kërkoj drejtësi, të zbardhet e vërteta, a ndërroi jetë nga pakujdesia apo jo. Unë besoj që nëse do të kishte më shumë shpejtësi, sot do të ishte mes nesh”, u shpreh motra e saj. Sipas familjarëve, bashkëshorti i Marjanës ishte larguar drejt SHBA-së vetëm tre ditë para ngjarjes, me synimin për bashkimin familjar, ndërsa fëmija që ajo priste ishte i pari për çiftin.