Një qytetare ka denoncuar në redaksinë tonë një situatë që, sipas saj, është kthyer në një problem të përditshëm për banorët e një kompleksi. Bëhet fjalë për automjetet e parkuara në mënyrë të parregullt, të cilat bllokojnë hyrjen dhe daljen e banorëve në pronat e tyre.
Në denoncimin e saj, qytetarja shprehet e revoltuar me atë që e cilëson si diferencën mes “shtetit të fasadës” dhe realitetit që përballen qytetarët çdo ditë.
“Ky është shteti, fasadë që bën video dhe i nxjerr në Facebook. Realiteti është një katrahurë e vërtetë. Nuk hyjmë dot në pronat tona sepse del një budalla që ka qejf të parkojë ku të dojë”, shprehet ajo.
Sipas qytetares, situata nuk është një rast i izoluar, por një problem që përsëritet vazhdimisht dhe shpesh përfundon në konflikte me personat që parkojnë duke penguar kalimin.
Ajo tregon se në një prej rasteve, pasi i ka kërkuar personit të largojë automjetin, ka marrë një përgjigje arrogante:
“Nuk ke çfarë të më bësh, nuk je policia. Thirr policinë nëse të shqetësova.”
Por edhe pasi policia është njoftuar, sipas qytetares, problemi nuk është zgjidhur në kohë.
“Raportojmë dhe na vjen një mesazh automatik. Ndërkohë, unë dy orë në këmbë duke pritur policinë”, thotë ajo.
Një situatë absurde, ku një qytetare pretendon se është e detyruar të presë me orë për ndërhyrjen e policisë, ndërsa një automjet i parkuar keq vijon të bllokojë hyrjen në kompleks.
Dhe pyetja është e thjeshtë: nëse qytetari nuk mund të hyjë në pronën e tij dhe personi që bllokon rrugën i thotë “thirr policinë”, çfarë duhet të bëjë më pas? Të presë dy orë?
Qytetarja kërkon ndërhyrjen e institucioneve dhe zgjidhjen e këtij problemi, përpara se një konflikt banal për një vend parkimi të përshkallëzohet në diçka më serioze.