Erdogan paralajmëron Greqinë

Erdogan paralajmëron Greqinë

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan i kërkoi Greqisë të “ndryshojë kursin” dhe t’i japë fund asaj që Ankara e konsideron militarizim të ishujve të Egjeut me status të çmilitarizuar. Duke folur pas kthimit nga Bishkeku, Erdogan theksoi se Turqia nuk ka ambicie territoriale ndaj vendeve të tjera, por nuk do të lejojë shkeljen e të drejtave të saj. Ai paralajmëroi gjithashtu se qasja e qetë dhe racionale e Ankarasë nuk duhet interpretuar si dobësi.

Erdogan akuzoi Greqinë se nuk ka dhënë një përgjigje reciproke ndaj përpjekjeve turke për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe i bëri thirrje Athinës të respektojë traktatet ndërkombëtare. “Injorimi dhe shkelja e traktateve ndërkombëtare nuk do t’i sjellë dobi askujt”, deklaroi ai, duke kërkuar konkretisht braktisjen e militarizimit të ishujve që, sipas Turqisë, duhet të kenë status të çmilitarizuar. Nga ana tjetër, Greqia e kundërshton interpretimin turk të traktateve dhe thekson se ruan të drejtën për të mbrojtur territorin e saj në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Presidenti turk tha se Ankaraja do të vazhdojë të punojë për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon, ndërsa paralajmëroi se historia duhet të shërbejë si udhërrëfyes për të shmangur gabimet e së kaluarës. Erdogan foli gjithashtu për mundësinë e forcimit të marrëdhënieve të Turqisë me Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait, të udhëhequr nga Kina dhe Rusia, duke sqaruar se një afrim i tillë nuk do të nënkuptonte shkëputjen e Turqisë nga Perëndimi apo nga aleancat e tjera.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit