"Drejtuesi i “Audit” përplas kamionin dhe më pas dhunon shoferin"

“Drejtuesi i “Audit” përplas kamionin dhe më…

Në redaksinë e JOQ Albania ka mbërritur një denoncim nga një qytetar për një aksident të ndodhur mëngjesin e sotëm, rreth orës 08:00, në rrugën “Martin Camaj” në Durrës, para mbikalimit të autostradës Durrës-Tiranë. Sipas dëshmitarit, një kamion dhe një automjet tip “Audi” janë përplasur, pasi drejtuesi i “Audi”-t dyshohet se ka tentuar të futet nga krahu i djathtë i kamionit. “Shoferi i kamionit ishte në korsinë e vet, ndërsa ‘Audi’ ishte nga ana e emergjencës”, shkruan qytetari.

Por, sipas denoncuesit, situata është përshkallëzuar pas përplasjes, pasi një prej personave që ndodhej në “Audi” dyshohet se ka goditur me grushte dhe shkelma shoferin e kamionit. “Mirë që ishte në gabim, por filloi të rrihte me grushte dhe shkelma shoferin e kamionit, i cili ra në tokë dhe nuk reagoi fare”, tregon dëshmitari, i cili thotë se skenën e ka parë nga shumë pranë, ndërsa trafiku ishte i rënduar.

Më tej, qytetari pretendon se pas dhunimit, personat në “Audi” janë larguar nga vendngjarja. “Pastaj këta trimat i dhanë edhe gaz dhe ikën nga vendngjarja”, shkruan ai. Sipas denoncimit, automjeti që dyshohet se ishte i përfshirë në ngjarje kishte targën AB 826 DP. Denoncuesi ka dërguar edhe disa foto të momentit, ndërsa u bën thirrje autoriteteve që të verifikojnë rastin dhe të zbardhin rrethanat e përplasjes dhe dhunës së pretenduar.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit