Vrasjet në Shqipëri s'kanë fund, Besfort Lamallari dhe policia mbledhin kufomat

Vrasjet në Shqipëri s’kanë fund, Besfort Lamallari…

Nga shkurti në mars, nga prilli në maj, e pa asnjë pushim përgjatë qershorit, korrikut, gushtit e shtatorit, kalendari i këtij viti nuk matet më me ditë apo muaj, por me numrin e ruletave të plumbave dhe jetëve të prera në mes. Vendi po përjeton një nga periudhat më të përgjakshme, ku krimi i organizuar po dikton ritmin e jetës publike, ndërsa Policia e Shtetit është katandisur në një spektatore me uniformë që mbërrin në skenë vetëm për të numëruar kufomat.

A ka më inteligjencë policore në këtë vend? A ekziston më nocioni i parandalimit? Dita-ditës, qytetarët po shohin të njëjtën pamje të pështirë: rrugë të bllokuara me shirit të verdhë, pika kontrolli që ngrihen për show mediatik pasi autorët janë larguar me kilometra tutje, dhe komunikata me shabllone të përsëritura se “po punohet për zbardhjen e ngjarjes”. Policia e Shtetit nuk po reagon më si strukturë e mbrojtjes së rendit, por si një shërbim funeral që vjen thjesht për të fshirë gjakun nga trotuaret.

Përgjegjësia direkte për këtë mpirje totale dhe kapitulim përballë krimit bie mbi piramidën drejtuese të sigurisë, ku figura e Besfort Lamallarit mbetet simboli i një dështimi institucional kronik. Prej vitesh në majat e menaxhimit të politikave të rendit, Lamallari ka mbikëqyrur strategji që egzistojnë vetëm në letra e në leksione teorike, ndërsa terreni u është dorëzuar plotësisht grupeve kriminale. Si mund të arsyetohet që për 8 muaj me radhë, muaj pas muaji,  krimi godet ku të dojë, kur të dojë dhe ndaj kujt të dojë, pa marrë asnjë goditje parandaluese nga shteti?

Mungesa e kontrollit real mbi territorin dhe paaftësia për të lexuar sinjalet e parandaluar larjet e hesapit nuk janë thjesht dështime teknike – janë tradhti ndaj sigurisë së çdo qytetari. Besfort Lamallari dhe kupola drejtuese e Policisë duhet t’u japin përgjigje qytetarëve: Pse Policia është gjithmonë hapin e dytë? Pse kriminelët lëvizin më lirshëm se patrullat e shqiponjave?

1. Sose Bozhani – Orikum

Më 2 janar 2026, në Orikum të Vlorës, 48-vjeçarja Sose Bozhani u vra në një ngjarje të rëndë brenda familjes. Për vrasjen u dyshua bashkëshorti/ish-bashkëshorti i saj, Llogora Xhebro, i cili pas krimit vrau edhe veten. Ngjarja tronditi rëndë komunitetin dhe u trajtua si një rast i dhunës ekstreme brenda marrëdhënies në çift.

2. Petrit Ndou – Thumanë

Më 20 janar, në zonën e Thumanës, 57-vjeçari Petrit Ndou humbi jetën pas një konflikti të nisur pas një përplasjeje mes automjeteve. Debati mes drejtuesve të mjeteve u përshkallëzua në dhunë fizike dhe Ndou u godit me çekiç. Për ngjarjen u dyshua Andi Vokri, i cili u arrestua në lidhje me krimin.

3. Egli Pashollari – Tiranë

Më 20 shkurt, në Tiranë, 31-vjeçari Egli Pashollari u vra me thikë pas një konflikti. Ngjarja ndodhi në zonën e rrugës “Kongresi i Lushnjës”, ku një debat përfundoi në përplasje fizike dhe përdorimin e thikës. Pashollari nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra.

4. Alket Isufi – Kavajë

Më 21 shkurt, në Kavajë, 48-vjeçari Alket Isufi u vra me thikë pas një konflikti që dyshohet se nisi për një çështje parkimi. Situata u përshkallëzua me shpejtësi, duke përfunduar me goditjen fatale të 48-vjeçarit. Për ngjarjen u identifikua si i dyshuar Landi Derjaj.

5. Dashuri Rrapaj – Roskovec

Më 24 mars, në Roskovec, 75-vjeçarja Dashuri Rrapaj u vra me armë zjarri nga bashkëshorti i saj, Shefit Rrapaj. Pas vrasjes së gruas, ai vrau edhe veten. Ngjarja u shënua si një tjetër krim i rëndë brenda familjes, duke i dhënë fund në mënyrë tragjike jetës së çiftit.

6. Gëzim Vija – Bulgarec

Në fillim të prillit, në Bulgarec të Korçës, 78-vjeçari Gëzim Vija u gjet i pajetë. Dyshimet e ngritura pas ngjarjes ishin se i moshuari kishte humbur jetën si pasojë e goditjeve me sende të forta. Rasti u trajtua si një vdekje e dyshimtë dhe hetimet u përqendruan në zbardhjen e rrethanave të vdekjes.

7. Ismail Aliaj – Vlorë

Më 3 prill, në Vlorë, 63-vjeçari Ismail Aliaj humbi jetën pas një konflikti që përfundoi në dhunë fizike. Ai u përfshi në një përplasje me persona të tjerë dhe, pas goditjeve të marra, gjendja e tij u rëndua. Pavarësisht përpjekjeve për ta shpëtuar, Aliaj ndërroi jetë.

8. Artur Çangu – Nikël

Më 10 prill, në Nikël të Fushë-Krujës, Artur Çangu u qëllua për vdekje me armë zjarri. Ngjarja dyshohet se ishte një ekzekutim i mirëorganizuar, ndërsa si autor i dyshuar u identifikua Eduart Afmataj. Viktima u qëllua me armë dhe humbi jetën në vendngjarje.

9. Sajmir Markja – Durrës

Më 13 prill, në Durrës, 59-vjeçari Sajmir Markja humbi jetën pas një konflikti fizik. Fillimisht vdekja e tij u konsiderua e dyshimtë dhe më pas u ngritën dyshime se pas saj mund të fshihej një përplasje fizike. Rrethanat e sakta të ngjarjes u bënë pjesë e një hetimi të mëtejshëm.

10. Endri Goxhaj – Memaliaj

Më 21 prill, në Memaliaj, 30-vjeçari Endri Goxhaj u vra me armë zjarri pas një konflikti. Përplasja mes personave të përfshirë përfundoi me të shtëna, ku Goxhaj mbeti i vrarë. Në të njëjtën ngjarje u raportua edhe plagosja e një personi tjetër.

11. Kreshnik Mujeci – Balldre

Më 26 prill, në Balldre të Lezhës, Kreshnik Mujeci u ekzekutua me armë zjarri teksa ndodhej në automjet. Ai u qëllua nga persona që dyshohet se kishin ndjekur lëvizjet e tij. Në të njëjtën ngjarje u vra edhe bashkëshortja e tij, Gentiana Mujeci, duke e kthyer atentatin në një vrasje të dyfishtë.

12. Gentiana Mujeci – Balldre

Gentiana Mujeci ishte viktima e dytë e atentatit të 26 prillit në Balldre. Ajo ndodhej në automjet bashkë me bashkëshortin e saj, Kreshnik Mujeci, kur ndaj tyre u hap zjarr. Të dy humbën jetën në vendngjarje, ndërsa krimi u konsiderua një ekzekutim i dyfishtë.

13. Rexhep Ismaili – Sarandë

Më 7 maj, në fshatin Gjashtë të Sarandës, 66-vjeçari Rexhep Ismaili u vra me armë zjarri gjatë një konflikti në ambientet e biznesit të tij. Përplasja mes personave të përfshirë u përshkallëzua dhe përfundoi me përdorimin e armës. Për ngjarjen u arrestua një person i dyshuar si autor.

14. Enea Mekolli – Maliq

Më 4 qershor, në Maliq, efektivi i Policisë Enea Mekolli u vra gjatë një operacioni për kapjen e një personi të armatosur. Gjatë përplasjes me armë, Mekolli u plagos rëndë dhe ndërroi jetë. Në të njëjtën ngjarje u plagos edhe një efektiv tjetër, ndërsa personi që kërkohej ishte i armatosur.

15. Ilir Lika/Gjini – Laç

Më 9 korrik, në Laç, 40-vjeçari Ilir Lika/Gjini u qëllua për vdekje me armë zjarri pranë banesës së tij. Ai u godit me plumb dhe humbi jetën si pasojë e plagëve. Ngjarja dyshohet se lidhet me konflikte të mëparshme, ndërsa një nga pistat e ngritura ishte edhe ajo e hakmarrjes.

16. Edmond Sula – Bërxullë

Më 12 korrik, në Bërxullë të Vorës, rreth 50-vjeçari Edmond Sula u ekzekutua me armë zjarri. Ai u qëllua në rrethana që ngritën dyshime për një atentat të planifikuar. Pas krimit, autorët u larguan nga vendi i ngjarjes, ndërsa motivet mbetën objekt hetimi.

17. Kosta/Arben Plaka – Vidhishtë

Më 24 korrik, në Vidhishtë të Roskovecit, Kosta, i njohur edhe si Arben Plaka, u vra brenda banesës së familjes. Refit Buzi dyshohet se hyri i armatosur në shtëpi dhe qëlloi çiftin Plaka. Pas vrasjes, ai mori peng Rozalinda Plakën dhe më vonë vrau veten pasi u rrethua.

18. Bejlere Plaka – Vidhishtë

Bejlere Plaka ishte viktima e dytë e ngjarjes së rëndë në Vidhishtë. Ajo u qëllua me armë zjarri nga Refit Buzi dhe mbeti e plagosur rëndë. Fillimisht u transportua në spital në gjendje kritike, por plagët e marra rezultuan fatale dhe ajo ndërroi jetë.

19. Johan Zuko – Korçë

Më 8 gusht, në Korçë, 20-vjeçari Johan Zuko u vra me armë zjarri. Ngjarja ndodhi në rrethana ende të paqarta plotësisht, ndërsa si person i dyshuar për vrasjen u identifikua Kristjan Sterjo. Krimi tronditi qytetin për shkak të moshës së re të viktimës.

20. Luis Miguel Varela Mendes – Ksamil

Më 18 gusht, në Ksamil, 20-vjeçari portugez Luis Miguel Varela Mendes humbi jetën pas një konflikti të dhunshëm. I riu ndodhej në Shqipëri për pushime kur u përfshi në përplasjen që përfundoi tragjikisht. Në lidhje me ngjarjen u arrestuan disa persona, ndërsa rasti shkaktoi reagim të madh edhe për faktin se viktima ishte turist i huaj.

21. Prelë dhe Lekë Gjoni – Dukagjin

Më 24 gusht, në Dukagjin, një atentat me armë zjarri i mori jetën 82-vjeçarit Prelë Gjoni dhe djalit të tij, 57-vjeçarit Lekë Gjoni. Të dy u qëlluan me armë në një sulm që dyshohet se ishte i planifikuar, ndërsa Lazër Bashi mbeti i plagosur. Për ngjarjen u ngritën dyshime për konflikte të vjetra dhe hakmarrje.

22. Viktor Bardhi- Mirditë

Viktor Bardhi, rreth 65 vjeç, u ekzekutua me armë zjarri mëngjesin e sotëm në fshatin Ndërfushas të Mirditës. Ai u gjet i pajetë brenda automjetit, i cili ishte qëlluar me breshëri plumbash. Në zonën e Munazit u gjet më pas edhe një automjet i djegur, që dyshohet se mund t’u përkiste autorëve. Bardhi ishte vëllai i Martin Bardhit, i vrarë në vitin 2023, ndërsa në vitin 2025 ishte vrarë edhe nipi i tij, Kristian Bardhi

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit