Një ngjarje e rëndë kriminale e shoqëruar me të shtëna me armë zjarri, tentativa gjobëvënieje dhe ndjekje policore ka tronditur zonën e Radhimës mesditën e së enjtes. Detajet e këtij incidenti masiv janë bërë publike nga Drejtori i Policisë së Vlorës, Edvin Ndreu, i cili konfirmoi se deri më tani janë vënë në pranga pesë persona dhe gjashtë të tjerë janë shpallur në kërkim.
Sipas hetimeve të kryera nga uniformat blu, e gjithë ngjarja ka zanafillën te një konflikt i dhunshëm në një hotel në pronësi të biznesmenit Vasil Bedinaj. Biznesmeni Luan Muça, i shoqëruar nga disa persona të tjerë, ka shkuar në ambientet e hotelit ku i ka kërkuar Bedinajt një shumë prej 5 milionë eurosh. Grupi e ka kërcënuar pronarin me armë zjarri, ka ushtruar dhunë fizike ndaj tij dhe i ka lënë një ultimatum prej 48 orësh për t’u larguar nga Shqipëria. Gjatë këtij moment tensioni, shtetasi Angjelo Breshani ka marrë nga automjeti i Bedinajt një armë që ky i fundit e posedonte me leje dhe ka qëlluar në drejtim të automjeteve të grupit tjetër.
Pas përplasjes me armë, autorët janë larguar me shpejtësi, duke nisur kështu një seri ngjarjes dinamike në disa akse rrugore:
-
Ndjekja dhe aksidenti në Peshkëpi: Një automjet tip “Range Rover” i zi, i drejtuar nga Luan Muça me pasagjerë vëllezërit Klaudio dhe Mandrit Lleshaj (punonjës të një shërbimi privat sigurie), nuk iu bind urdhrit të policisë në Rrethin e Alikokës. Gjatë ndjekjes, mjeti doli nga rruga te Ura e Peshkëpisë duke u përplasur me barrierat. Muça dhe Mandrit Lleshaj mbetën të dëmtuar por ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Brenda mjetit u sekuestrua një pistoletë me 16 fishekë.
-
Ndalimi në Fier: Rreth orës 13:00, Policia e Fierit ndaloi te Mbikalimi i Memorialit një mjet që drejtohej nga shtetasi kosovar Blerim Heta. Automjeti kishte shenja plumbash në xhamin e pasagjerit, ndërsa brenda tij u gjetën tre fishekë pistolete.
-
Mjeti i djegur në Kaninë: Rreth orës 16:30, në bypass-in e Vlorës u gjet duke u djegur një automjet tip “Audi A8”, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët gjatë incidentit.
Bilanci i personave të ndaluar dhe hetimeve
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, Policia e Vlorës ka prangosur pesë persona:
-
Luan Muça, 55 vjeç, banues në Tiranë;
-
Klaudio Lleshaj, 29 vjeç, banues në Tiranë;
-
Mandrit Lleshaj, 33 vjeç, banues në Tiranë;
-
Blerim Heta, 40 vjeç, shtetas kosovar;
-
Angjelo Breshani, 29 vjeç, banues në Vlorë.
Përveç pesë të arrestuarve, policia ka shpallur në kërkim 6 persona të tjerë dhe po punon për sekuestrimin e 4 automjeteve të përfshira. Materialet i kalojnë Prokurorisë për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes për dhënie pasurie”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.