I dëmtoi pasqyrën, por la në xham 5000 lekë dhe një letër: “Të kërkoj falje!”

I dëmtoi pasqyrën, por la në xham…

Një gjest korrektësie ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga Shkodra, në një kohë kur shpesh drejtuesit e mjeteve, pasi dëmtojnë automjetet e të tjerëve, zgjedhin të largohen pa lënë asnjë gjurmë.

Një qytetar tregon ka gjetur mbi xhamin e makinës së tij një kartëmonedhë 5000-lekëshe dhe një letër të shkruar me dorë, pasi dikush i kishte dëmtuar pasqyrën e automjetit.

Në letër shkruhej:

“Të kërkoj falje për dëmin që të shkaktova te pasqyra e makinës.”

Personi që ka shkaktuar dëmin nuk ka lënë emër apo numër telefoni, ndaj pronari i automjetit nuk e di se kush është. Megjithatë, ai ka zgjedhur të mos largohet pa lënë asgjë pas, por të marrë përgjegjësinë për dëmin dhe të lërë edhe një shumë parash.

“Sot në Shkodër dikush më ka dëmtuar pasqyrën e makinës dhe, ndryshe nga shumë raste të tjera, ka pasur korrektësinë të lërë një letër dhe lekë për dëmin. Nuk e di kush është personi, por gjesti i tij është për t’u vlerësuar”, shkruan qytetari që ka kontaktuar redaksinë.

Ndoshta 5000 lekët nuk mjaftojnë për të mbuluar të gjithë dëmin, por në këtë rast vlera e gjestit shkon përtej shumës së lënë mbi makinë.

Sepse një dëmtim i paqëllimshëm mund t’i ndodhë kujtdo. Ajo që bën diferencën është mënyra se si zgjedh të sillesh më pas: të largohesh dhe të bësh sikur nuk ka ndodhur asgjë, apo të ndalosh, të kërkosh falje dhe të marrësh përgjegjësinë.

Një gjest i vogël, por një shembull korrektësie që ia vlen të vlerësohet.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit