U bë agresiv gjatë fluturimit, pasagjerët lidhin 67-vjeçarin me shirit ngjitës në sedilje

U bë agresiv gjatë fluturimit, pasagjerët lidhin…

Një 67-vjeçar nga Arizona përfundoi në pranga pas një incidenti të rëndë gjatë një fluturimi të American Airlines, ku dyshohet se u soll në mënyrë agresive ndaj ekuipazhit dhe pasagjerëve. Situata detyroi pilotët të devijonin avionin dhe të kryenin një ulje të paplanifikuar në Baltimore.

Sipas Policisë Shtetërore të Maryland, Arthur Ludin u arrestua menjëherë pasi avioni u ul në Aeroportin Ndërkombëtar Baltimore/Washington. Për ta mbajtur nën kontroll, pasagjerët që ndërhynë e lidhën në sedilje me shirit ngjitës, ndërsa duart iu vunë në pranga.

Ngjarja ndodhi në fluturimin AA 618, i cili ishte nisur nga Dallas dhe kishte si destinacion Newark. Informacioni është konfirmuar nga FBI dhe American Airlines.

Një prej pasagjerëve, Juan Mejia, ish-oficer i zbatimit të ligjit, tregoi se situata nisi të përshkallëzohej kur avioni kishte përshkuar rreth tre të katërtat e itinerarit. Sipas dëshmisë së tij, Ludin filloi të ofendonte anëtarët e ekuipazhit dhe pasagjerët, duke përdorur fjalor fyes dhe raciste. Ai dyshohet se bëri gjithashtu komente fyese ndaj disa grave që ndodheshin në rreshtin pas tij.

Mejia dhe një tjetër pasagjer, Richard Olenick, thanë se vendosën të ndërhynin kur 67-vjeçari kaloi nga ofendimet verbale në sjellje fizike agresive.

Avioni u devijua drejt Baltimore dhe u ul në aeroport rreth orës 22:15, sipas Administratës Federale të Aviacionit (FAA), e cila ka nisur gjithashtu hetimet për incidentin.

Dy pasagjerët që ndërhynë deklaruan se qëndruan pranë Ludin deri në momentin kur oficerët e policisë hipën në avion dhe e morën në paraburgim.

Pas arrestimit të tij, fluturimi vazhdoi drejt Newark pa incidente të tjera, bëri të ditur American Airlines.

Sipas Policisë së Autoritetit të Transportit të Maryland, Ludin përballet me akuza për sjellje të pahijshme dhe sulm të shkallës së dytë, për veprimet e dyshuara gjatë fluturimit.

Ndërkohë, hetimi për incidentin vijon nga FBI-ja, ndërsa autoritetet federale po shqyrtojnë rrethanat që çuan në devijimin e avionit.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit