Kokainë, armë dhe lekë, emrat e 20 të arrestuarve të rrjetit të drogës

Kokainë, armë dhe lekë, emrat e 20…

Një operacion i gjerë kundër shpërndarjes së drogës dhe armëmbajtjes pa leje është finalizuar mbrëmjen e djeshme në Sarandë, pas dy muajsh hetime nga Policia në bashkëpunim me Prokurorinë. Në kuadër të operacionit “Vjeshta” janë arrestuar 20 persona, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim. Në pranga kanë rënë Arlind Osmani, Feliks Filja, Med Myftaraj, Klerjan Popshni, Redian Arizi, Nikolin Rakipi, Altin Arapi (Demiri), Erjon Dido, Dhimitër Terolli, Xhuliano Mejdi, Vasil Kaçi, Flatun Lalaj, Bledar Kovaci, Shqefet Bezhani, Andrea Babi, Nazif Refitaj, Elvis Demçaj, Devis Saliaj, Korado Omeri dhe Fabjo Berhamaj. Në kërkim janë shpallur Fabjo Berhamaj dhe Stilian Rakipi, ndërsa ndaj Ermir Nasit, 37 vjeç, ka nisur hetim në gjendje të lirë pasi dyshohet se kundërshtoi shërbimet e Policisë gjatë kontrollit në një dhomë hoteli.

Gjatë kontrolleve janë sekuestruar 72 doza kokainë, 80 doza kanabisi, dy pistoleta, katër automjete, 19 celularë, si dhe një sasi eurosh dhe lekësh. Dy armët e zjarrit janë gjetur në banesat e Devis Saliajt dhe Shefqet Bezhanit. Sipas hetimeve, në krye të rrjetit dyshohet se qëndronte Altin Arapi, i njohur me pseudonimin “Boraqi”, i cili në rolin e kryefurnitorit dyshohet se siguronte kokainë dhe kanabis për anëtarët e tjerë të grupit. Lënda narkotike më pas shpërndahej sipas zonave të përcaktuara në Sarandë.

Sipas Policisë, shpërndarësit lëviznin kryesisht në zonat më të frekuentuara të qytetit bregdetar, përfshirë plazhet, lokalet e natës, shëtitoren dhe zonat pranë shkollave, duke synuar edhe turistët si klientë të mundshëm. Hetimi kishte sjellë edhe një aksion të mëparshëm më 31 korrik, ku u arrestuan në flagrancë Argjend Nanaj, Ardit Cama dhe K. J., ndërsa u sekuestruan rreth 5 kilogramë kanabis, që dyshohej se do të shpërndahej në Sarandë dhe Ksamil. Materialet e sekuestruara në operacionin e fundit tashmë i janë vënë në dispozicion hetimit për dokumentimin e plotë të aktivitetit të dyshuar kriminal.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit