I dërguari i Trump hyn në debat për shtetin Bektashi: Të vendosin vetë shqiptarët

I dërguari i Trump hyn në debat…

I dërguari presidencial amerikan për Partneritetet Globale, Paolo Zampolli, ka vizituar sot Kryegjyshatën Botërore Bektashiane në Tiranë, ku është takuar me Baba Mondin dhe ka diskutuar për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, bashkëjetesën fetare dhe projektin për krijimin e një shteti sovran bektashi.

Sa i përket projektit të shumëdebatuar për krijimin e një shteti Bektashi në Tiranë, Zampolli nuk dha një mbështetje të drejtpërdrejtë në emër të SHBA-së, por theksoi se vendimi përfundimtar duhet t’u takojë shqiptarëve.

“Në fund të fundit, njerëzit vendosin ose do të vendosin”, u shpreh ai, duke shtuar se komuniteti ndërkombëtar duhet të respektojë vullnetin e popullit shqiptar. Sipas tij, nëse shqiptarët e mbështesin një projekt të tillë, atëherë “kjo është një gjë e mirë”.

Vizita e Zampollit nuk u përqendrua vetëm te çështjet fetare dhe politike. Gjatë qëndrimit në Tiranë u diskutua edhe për mundësi bashkëpunimi me kompani amerikane në sektorin e shëndetësisë dhe trajtimin e pacientëve me kancer.

Në këtë kuadër, në Kryegjyshatë u bë e ditur edhe nënshkrimi i një memorandumi bashkëpunimi me kompaninë amerikane ImmunityBio, për një projekt që synon kujdesin ndaj pacientëve me kancer.

Në axhendën e Zampollit në Shqipëri janë parashikuar gjithashtu takime me ministra të qeverisë dhe përfaqësues të grupeve parlamentare të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit